Rusët e pasur janë të zënë duke transferuar të paktën një pjesë të pasurisë së tyre nga Evropa në Dubai, në mënyrë që të mbrojnë pronën e tyre nga sanksionet gjithnjë e më të rënda kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, mësuan të enjten burime financiare dhe ligjore.


Dubai, një qendër financiare dhe biznesi e njohur për mungesën e rregulloreve të rrepta, ka qenë prej kohësh i njohur si një magnet për ultra të pasurit e botës dhe refuzimi i Emirateve për t’u anuar me Perëndimin dhe Moskën ishte një sinjal për rusët që paratë aty do ishin të sigurta.

Emiratet abstenuan nga dënimi i pushtimit rus të Ukrainës gjatë një votimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Emiratet, të cilat i kanë thelluar lidhjet me Rusinë vitet e fundit, nuk kanë vendosur sanksione të stilit perëndimor dhe as banka qendrore e Emirateve nuk ka nxjerrë udhëzime për sanksionet amerikane dhe evropiane.

Në çdo rast, rusët e pasur aktualisht në Londër dhe Zvicër po përpiqen ta transferojnë pasurinë e tyre në siguri, tha një bankier në një bankë të madhe private zvicerane.

Kjo u konfirmua edhe nga një avokat në Dubai, i cili tha se kompania e tij kishte marrë pyetje nga individë dhe kompani ruse se si ata mund të transferonin shpejt “fonde të rëndësishme” me vlerë qindra miliona dollarë në atë vend arab.

Vend i përshtatshëm për biznes

“Emiratet e Bashkuara Arabe janë një vend i përshtatshëm (për biznes) – vetëm disa orë larg dhe pa një rregullator që është në marrëveshje me rregullatorët perëndimorë,” tha menaxheri i investimeve.

Klientët rusë me llogari në banka private, zbuloi një bankier, po hapin llogari në zyrën rajonale të së njëjtës bankë në Emirate, ndërsa disa të tjerë po hapin llogari në bankat lokale.

Ata gjithashtu përpiqen të investojnë para, për shembull, në pasuri të paluajtshme dhe fonde që nuk zbulojnë informacion mbi pronën.

Dubai ka qenë gjithashtu një destinacion shumë i njohur turistik për rusët për shumë vite dhe është në krye për sa i përket numrit të vizitave dhe numrit të blerësve të pasurive të paluajtshme.

Në vitin 2018, Emiratet prezantuan një program të vizave “të arta” që u ofron investitorëve dhe profesionistëve të tjerë një leje qëndrimi 10-vjeçare.

Zyra e medias, ministria e jashtme dhe banka qendrore e nuk iu përgjigjën pyetjes se sa para ruse po derdhen aktualisht në Dubai.

Për momentin, nuk ka indikacione se pasuria ruse që rrjedh në Dubai mund të goditet nga sanksionet perëndimore, por ekziston rreziku që institucionet që marrin para ruse të dëmtojnë reputacionin e tyre, veçanërisht pasi një numër kompanish shumëkombëshe kanë ndërprerë lidhjet me Moskën.