Deputetja shqiptare në Kroaci, Ermina Përlaskaj, ka thënë se akoma nuk është identifikuar fluturakja, e cila u rrëzua në Zagreb e për të cilën kishte dyshime se ka ardhur nga Ukraina.


Megjithatë, ajo ka thënë se Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës e ka mohuar se ky dron vëzhgues iu takon atyre, derisa të njëjtën e ka bërë edhe Ambasada e Rusisë në Kroaci.

“Mbrëmë, rreth orës 23:00, kishte rënë një dron, i cili ende nuk është identifikuar se kujt i takon, edhe pse Ministria e Punëve të Jashtme të Kroacisë ka shtruar pyetje në Ministrinë e Mbrojtjes të Ukrainës, të cilët e kanë mohuar që iu takon atyre. Edhe nga ambasada ruse ka ardhur një deklaratë, ku thuhet se nuk i takon as Rusisë”.

“Bëhet fjalë për një dron vëzhgues, i cili ka rënë në Kroaci dhe, sipas të gjitha të dhënave, ka mbetur pa naftë dhe ka rënë në një pjesë të qytetit, ku nuk ka banorë dhe për fat të mirë nuk ka as të vdekur dhe as të lënduar. Ka vetëm dëme në objektet në këtë pjesë, që nuk janë dëme edhe shumë të mëdha”.

Përlaskaj, në Klan Kosova, ka thënë se gjatë ditës ka pasur akuza për Ministrinë e Mbrojtjes dhe NATO-n që nuk e kanë detektuar fluturaken e paidentifikuar që ka fluturuar disa orë në hapësirën e tyre ajrore.

“Nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare, kemi teori dhe supozime. Fillimisht, akuzohet Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e NATO-s që nuk e mbrojnë pjesën ajrore sa duhet, edhe pse ministri i Mbrojtjes ka dalë me deklaratë që ata e kanë përcjellë kalimin e këtij droni, por askush nuk ka reaguar. Këto janë vetëm supozime, sepse ende nuk kanë përfunduar hetimet zyrtare, që të jepen deklarata të sakta zyrtare”.