Duke iu referuar anketës së fundit të IRI-it amerikan që u publikua para ca ditësh, nga ekspert të shumtë me relevancë,që merren me analiza dhe lexim të anketave, njëzëri vlerësojnë se anketat, kryesisht përkthehen në mesazhe politike për aktorët politik në vend.


E tillë ishte edhe anketa e fundit e IRI-it amerikan, që në njërën nga pikat e pyetësorit, që kishte të bënte me mbështetjen që gëzojnë liderët politikë, vërehej një element shumë i veçantë, që në përkthim mund të lexohej edhe si porosi politike e tërthortë për kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selën.

Në anketë Sela ishte politikani i vetëm që kishte një rënie drastike të mbështetjes së opinionit. Nga 5%, të mbështetjes së opinionit që gëzonte në vitin 2021, tani në anketën e fundit ka një rënie katastrofale në vetëm 2% besueshmëri të qytetarëve.
Kjo mbase duhej të shërbej si alarm jo vetëm për Ziadin Selën, por edhe për tërë strukturat e kësaj partie,sidomos tani në prag të Kongresit partiak që pritet të mbahet më 27 Mars.

Interesant është fakti që në po të njëjtën anketë, Aleanca për Shqiptarët si parti kishte rritje të besueshmërisë në raport me anketën paraprake të IRI-t, të vitit të kaluar, por e kundërta ndodh me kryetarin Ziadin Sela, që ka rënie drastike të besueshmërisë.

Mbase, fërkimet e fundit që janë duke ndodhur, në ASH, pasqyrojnë më së miri gjendjen nëpër të cilën kalon kjo strukturë politike, ku edhe njëherë vërtetohet se përkundër mbështetjes solide për partinë e drejtuar nga Ziadin Sela, mbështetja për këtë të fundit le shumë për të dëshiruar, sidomos tani në prag të Kongresit ku shumica absolute e anëtarëve të ASH-së, nuk e shohin më si lider të ardhshëm të Aleancës për Shqiptarët.

Mbetet të shihet nëse Ziadin Sela do të rikandidoj për Kryetar të Aleancës për Shqiptarët dhe nëse vërtet e ka lexuar drejtë dhe saktë “porosinë”, që mori përmes anketës së fundit!/fol