Agjencia rregullatore bërthamore e Ukrainës thotë se monitorët që masin nivelin e rrezatimit rreth termocentralit bërthamor të Çernobilit, vendi i aksidentit bërthamor më të rëndë në botë në vitin 1986, kanë pushuar së punuari.


Në një deklaratë të hënën, agjencia tha gjithashtu se nuk ka më zjarrfikës në dispozicion në rajon për të mbrojtur pyjet e ndotura nga dekada radioaktiviteti, ndërsa moti po ngrohet. Uzina u morr në kontroll nga forcat ruse më 24 shkurt.

Sipas deklaratës të së hënës, kombinimi i disa rreziqeve mund të nënkuptojë një “përkeqësim të ndjeshëm” të aftësisë për të kontrolluar përhapjen e rrezatimit jo vetëm në Ukrainë, por përtej kufijve të vendit në javët dhe muajt në vazhdim.

Ekipi drejtues i uzinës së Çernobilit tha të dielën se 50 anëtarë të personelit që kishin punuar pa pushim që nga marrja në kontroll nga Rusia janë ndërruar dhe zëvendësuar.

Ukraina i tha Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike se rreth gjysma e personelit “më në fund” ishin në gjendje të ktheheshin në shtëpitë e tyre të dielën pasi punuan në vendndodhje për gati katër javë, tha drejtori i përgjithshëm i agjencisë, Rafael Grossi.

Ata që u larguan u zëvendësuan nga personel tjetër ukrainas, tha zoti Grossi në një deklaratë të dielën vonë.

“Është një zhvillim pozitiv – megjithëse i vonuar prej kohësh – që disa anëtarë të personelit në Çernobil tani janë ndërruar dhe janë kthyer pranë familjeve të tyre”, tha zoti Grossi.

“Ata meritojnë respektin dhe admirimin tonë të plotë që kanë punuar në këto rrethana jashtëzakonisht të vështira. Ata ishin atje për një kohë të gjatë. Unë sinqerisht shpresoj që stafi i mbetur gjithashtu të mund të ndërrohet së shpejti”.

Më 24 shkurt, ditën kur Rusia sulmoi Ukrainën, trupat e Moskës morën kompleksin e Çernobilit, vendi i shkrirjes bërthamore të vitit 1986 që shkaktoi katastrofën më të keqe të një reaktori bërthamor në histori.

Rreth 100 anëtarë të personelit teknik kanë punuar të rrethuar nga roje të armatosur për të mirëmbajtur kompleksin.

Zoti Grossi, i cili kishte shprehur shqetësim të thellë për mirëqenien e personelit ukrainas, “përshëndeti lajmin për rotacionin e pjesshëm të personelit”, tha agjencia.

“Përpara rotacionit të sotëm, i njëjti grup pune kishte qenë në vend që një ditë përpara se forcat ruse të hynin në zonë,” shtoi ai.

Është e paqartë përse ushtarët rusë morën nën kontroll Çernobilin, ku reaktori i shkatërruar mbahet nën mbikëqyrje të rreptë brenda një sarkofagu prej betoni dhe plumbi, dhe tre reaktorët e tjerë po çaktivizohen.

Në vitin 2017, reaktori ishte një nga disa objektivat ukrainase të goditura nga një sulm masiv kibernetik që mendohej se e kishte origjinën në Rusi, i cili për një kohë të shkurtër e nxorri sistemin e saj të monitorimit të rrezatimit jashtë rrjetit./VOA