Roman Abramovich transferoi dhjetëra milionë dollarë te një drejtor i klubit të Chelseas nga një kompani që ai kontrollonte, në ditën kur Rusia filloi sulmet ndaj Ukrainës.


Ishte hera e dytë që pronari i Chelseas i transferoi asetet te një bashkëpunëtor i ngushtë përpara se Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian të vendosnin sanksione ndaj tij.

Abramovich u bë një nga sipërmarrësit më të fuqishëm të Rusisë, kryesisht nga nafta dhe alumini gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në 1991. “Forbes” muajin e kaluar vlerësoi pasurinë e tij neto në më shumë se 13 miliardë dollarë.

Britania dhe BE vendosën sanksione të tilla si ngrirja e aseteve ndaj Abramovichit dhe qindra individëve dhe subjekteve ruse që shihen si përkrahës të Vladimir Putinit, teksa Abramovich ka mohuar të ketë lidhje të afërta me Putinin.

Një analizë e “Reuters” e dosjeve të korporatave në Londër dhe Amsterdam, tregoi se miliarderi rus ishte renditur më parë si “pronari përfitues” i “Ervington Investments Limited” me bazë në Qipro. Kjo kompani ka bërë investime në të paktën tetë firma.

Më 24 shkurt, Eugene Tenenbaum, një drejtor i Chelseas, i cili përshkruhet në faqen e klubit si një nga “bashkëpunëtorët më të afërt” të Abramovichit, mori kontrollin e plotë të “Ervington”. As Britania, BE dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë vendosur sanksione ndaj Tenenbaum.

Tenenbaum tha në një deklaratë për “Reuters” se blerja ishte në përputhje me ligjet dhe rregulloret. Tenenbaum nuk pranoi të zbuloi se sa ka paguar.

Sipas avokatëve nga Londra, asetet e mbajtura nga “Ervington” nuk do t’i nënshtrohene ngrirjes së vendosur mbi asetet e tjera të Abramovichit. /