Ukraina i ka bërë thirrje Gjermanisë që të braktisë politikën e saj të bllokimit të furnizimeve me armë në vend, mes frikës së një aksioni ushtarak nga Rusia, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andrij Melnyk, mbrëmë për transmetuesin publik ARD tha se forcimi i aftësive mbrojtëse të Ukrainës është bërë i nevojshëm për të penguar Rusinë nga agresioni i mëtejshëm.
“Është e rëndësishme që diplomacia të vazhdojë, por kjo diplomaci duhet të mbështetet edhe nga një qëndrim i ashpër, gjithashtu duke marrë masa parandaluese. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se dërgesat e armëve duhet të mbeten të hapura”, tha ai.
Gjermania deri më tani ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të armëve vdekjeprurëse në Ukrainë, duke theksuar politikën kufizuese të eksportit të armëve të vendit, e cila nuk lejon dërgimin e armëve në rajonet e konfliktit.
Ambasadori ukrainas argumentoi se kërcënimi me të cilin përballet Ukraina tregon se kjo është një situatë serioze dhe e jashtëzakonshme, e cila kërkon gjithashtu një përgjigje të jashtëzakonshme nga Gjermania.
“Kur një vend e gjen veten në një situatë vetëmbrojtjeje, dhe ky është rasti tani për Ukrainën, atëherë duhet të ketë përjashtime. Këto dërgesa nuk do të jenë kurrë një provokim i ri. Aleatët e tjerë kanë filluar tashmë dërgesat e armëve në javët e fundit”, tha ai.
Ambasadori theksoi gjithashtu se Gjermania mban përgjegjësi historike për Ukrainën për shkak të krimeve të kryera nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rusia kohët e fundit grumbulloi dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit lindor të Ukrainës, duke shkaktuar frikën se Kremlini mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit të tij ish-sovjetik.
Moska ka mohuar se po përgatitet për të pushtuar dhe thotë se trupat e saj janë atje për stërvitje. Në vend të kësaj, ajo ka lëshuar një listë të kërkesave të sigurisë, duke përfshirë mos anëtarësimin e Ukrainës në NATO, për të qetësuar tensionet ekzistuese.