Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska, sot pasdite ka takuar kryetarin e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Darko Dimovski.

Temë e takimit të sotëm, i cili u mbajt me ftesë të ministres Trençevska, ishte diskutimi i premtimit të qeverisë për rritjen e pagës minimale. Ministrja theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për rritjen e pagës minimale.

Ajo informoi se dialogu social me të gjitha palët e interesuara në shoqëri, përfaqësuesit e punëdhënësve dhe punëtorët vazhdon. Trençevska siç njoftojnë nga kbineti i saj, ka thënë se qëllimi është gjetja e zgjidhjes më të qëndrueshme për të gjitha çështjet e hapura.

“Angazhimi i Qeverisë është që paga minimale të rritet sa më shpejt në 18.000 denarë gjatë këtij viti. Rritja e pagës minimale do të vazhdojë gjatë gjithë mandatit dhe deri në fund do të arrijë në 20.000 denarë. Ne si Qeveri dhe si ministri po punojmë vazhdimisht për përmirësimin e statusit të punës. Ne e vlerësojmë punën e punëtorëve, veçanërisht në kushtet e krizës globale ekonomike dhe shëndetësore, dhe për këtë, duke e perceptuar gjendjen ekonomike të qytetarëve, rritja e pagës minimale është më se e nevojshme”, tha Trençevska.

Në takim është diskutuar edhe për të drejtën e pagesës për pushim vjetor – K15 për punëtorët, duke theksuar synimin e Qeverisë që ata të kenë të njëjtat të drejta.

Trençevska theksoi se Qeveria është e hapur dhe e gatshme për dialog, përmes të cilit do të arrihet zgjidhje më e përshtatshme.