Stuhi shqiptare në qeverinë maqedonase

Hakan Albayrak


Kur e pashë për herë të parë listën e ministrave, nuk u besova dot syve: nga 20 anëtarë të kabinetit qeveritar, 10 ishin emra shqiptarësh.

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Marrëdhënieve Ndërkomunitare: Artan Grubi

Zëvendëskryeministër për Ekonominë: Fatmir Bytyçi

Ministër i Jashtëm: Bujar Osmani

Ministër i Arsimit dhe Shkencës: Jeton Shaqiri

Ministër i Financave: Fatmir Besimi

Ministër i Ekonomisë: Kreshnik Bekteshi

Ministër i Shëndetësisë: Bekim Sali

Ministër i Informacionit: Admirim Aliti

Ministër i Mjedisit: Naser Nuredini

Ministër Shteti për Diasporën: Xhemail Çupi

Nga 20 ministra, përfshirë edhe zëvendëskryeministrat, në qeverinë e re të koalicionit në Maqedoninë e Veriut, a ishte vërtet e mundur që gjysma të ishin shqiptarë?

Megjithëse ishte një informacion zyrtar i shpërndarë në mbarë botën, m’u desh të merrja një mikun tim shqiptar në Shkup për ta pyetur.

“Vallahi po,” tha.

Ndihej shumë i lumtur, por edhe paksa i tendosur se mos nacionalistët maqedonë nxisnin trazira etnike.

Gjithashtu vërejti se “mungon një ministër turk”. (Tradita e lënies së një ministrie turqve u prish në vitin 2020.)

Megjithatë, në qeverinë e re ka ministra që krahas shqiptarëve mund t’i përfaqësojnë denjësisht edhe myslimanët e tjerë të Maqedonisë së Veriut (turqit, boshnjakët, romët, etj.), si teologu dhe akademiku i shkencave politike Xhemail Çupi.

Përfshirja e 8 ministrave shqiptarë në qeverinë e mëparshme ishte një rekord. Kurse 10 ministra shqiptarë në qeverinë e re ku numri i ministrave është tkurrur nga 26 në 20, është përtej rekordit. Është thuajse një revolucion.

Qeveria e re e koalicionit përbëhet nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (SDSM), Bashkimi Demokratik për Integrim, partia shqiptare Alternativa (siç edhe quhet, është alternativë), e cila në ceremoninë e themelimit më 2019 u dërgoi përshëndetje të veçanta Shqipërisë dhe Turqisë, dhe nga Partia Liberal Demokrate. Nga ministrat shqiptarë që marrin pjesë në të, 6 janë të BDI-së, 3 të Alternativës dhe 1 i SDSM-së.

Por ka edhe më: Sipas protokollit të koalicionit, kryeministri (kryetari i SDSM-së) Dmitar Kovaçevski, në 100 ditët fundit të mandatit të qeverisë do t’ia lërë postin e kryeministrit një deputeti të BDI-së. Kështu do të realizohet edhe parrulla e BDI-së gjatë fushatës elektorale të 2020-ës për “kryeministrin e parë shqiptar”.

Përfaqësimi me 50% në qeveri i shqiptarëve, të cilët zyrtarisht përbëjnë 25,2% të popullsisë së Maqedonisë së Veriut, kurse sipas disa vlerësimeve jozyrtare përbëjnë 30-35%, sigurisht që ka të bëjë me balancat politike, me aritmetikën parlamentare dhe me mosmarrëveshjet e thella mes partive kryesore maqedone, megjithatë këtë situatë prirem ta lexoj si një iniciativë për t’i kompensuar ‘me të tepërt’ problemet e mëdha që shovenizmi maqedon u ka shkaktuar shqiptarëve në të kaluarën – ashtu si në çdo çështje tjetër, përfshirë edhe përfaqësimin politik – si dhe për t’ua forcuar shqiptarëve ndjenjët e përkatësisë ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Uroj që qeveria e re që mori votebesimin dje në parlament t’u sjellë mbarësi të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.