Rrjetet sociale po vlojnë pasi që u mbyll aplikacioni ilegal “BigCommerce” i cili e ka vjedhur emrin origjinal të një kompanie nga Australia për tregti elektronike, nëpërmjet të cilit janë mashtruar një numër i pacaktuar i qytetarëve të cilët kanë investuar para me qëllim që të njëjtat t’i rikthejnë shumëfish më shumë për periudhë të shkurtër kohore.

Iluzioni “BigCommerce” u shemb si kullë prej karte, me këtë u shembën dhe shpresat për pasurim të shpejtë. Nëpër rrjetet sociale e mes miqsh mund të lexohen e dëgjohen lloj-lloj ngjarjesh tragjike të njerëzve që kanë investuar në këtë “dyqan online” e më pas janë djegur, pasi që të njëjtat nuk kanë mundur t’i nxjerrin.

“Një fenomen edhe më aktual që trondit shoqërinë, familjarë, sociologë, teologë, buxhete: epidemia apo çështja e bigcommerce, kriptovalutave dhe platformave online të avancimit ekonomik, një trend marramendës dhe tmerrues, që shikuar sociologjikisht një pjesë të mirë të popullatës, në veçanti atë rinore e ka “okupuar mendërisht”, e ka bërë që ta hedhë mënjanë ose nga agjenda e vet “kulturën e punës tradicionale”; e ka bërë të jetojë me fantazitë e pasurimit të çastit, e shndërrimit në milioner për një kohë të shkurtër, në një momentum të kalimit në “qiellin e shtatë” të financave, të shndërrimit në “game winner”, shkruan sociologu Ali Pajaziti.

Ky aplikacion, i cili besohet se origjinën e ka prej jashtë Maqedonisë së Veriut, na rikujtoi skemat piramidale të 1997-tës në Shqipëri dhe aferën “TAT” në Maqedoninë e Veriut ku si pasojë e skemave piramidale të përshkruara si “kursimore, qytetarët në Shqipëri humbën rreth 1.2 miliardë dollarë, ndërkaq në Maqedoni mbi 120 milionë marka gjermane. Edhe “BigCommerce” është një skemë piramidale, pothuajse identike, vetëm se për dallim, tani është bërë online dhe kjo vështirëson gjetjen e atyre që qëndrojnë prapa këtij mashtrimi.

Qytetarët sigurisht janë joshur për përqindjen e lartë të interesit të cilën ua ka dhënë për një vlerë të caktuar të investimit, ashtu sikur kishte ndodhur në Shqipëri dhe aferën “TAT”, ku kursimoret u kishin ofruar kamata marramendëse prej 30%.

Sipas përkufizimit, skema piramidale është një investim i jashtëligjshëm ku investuesve u premtohen përqindje shumë të mëdha Interesi mbi shumën e investuar (e dhënë hua). Sidoqoftë, këto përqindje interesi nuk përputhen me asnjë llogjikë ekonomike. Paratë e dhëna hua nga investues së fundmi përdoren për të paguar investuesit e mëparshëm. Personat që organizojnë këto skema janë ata që përfitojnë më shumë, ndërkohë që investuesit që futen në lojë më vonë dalin më të humburit. Pra efekti është ai i piramidës, ku nga një bazë e gjerë huadhënësish arrihet në një kulm ku paratë e investuara dhe përqindjet marramendëse të premtuara nuk mund ta paguhen më, pasi nuk ekziston një numër i mjaftueshëm investuesish të rinj për të mbuluar shumën. Është pikërisht ky momenti kur skema shembet.

“Aplikacioni ‘Big Comerce+’ ashtu siç pritej ka rezultuar një big scam (mashtrim i madh); Prej 3 ditësh kur dhe ndodhi ndryshimi i domenit të aplikacionit, pranon por nuk kthen paratë për shfrytëzuesit e vet.” Jozyrtarisht mësohet se qytetarët e RMV-së humbën në BigCommerce rreth 80 milionë euro. Dhe tani… si më tutje? Nëse jeni të rinj a studentë kthejuni librave, ju të tjerët kthejuni punës, se vetëm ajo është produktive, rizk hallall si loti, ju mban gjallë dhe të lumtur, maje edhe kur fitoni pak! Ruajuni mëkateve/krimeve kibernetike. Identity theft, phishing, pyramid schemes janë disa prej tyre. Dijeni që s’punojnë për ju as Ebay, as Walmart, as Wish e as Amazon, as ndonjë Big boss a platformë! Me ëndrra s’jetohet!”, shkruan më tej Pajaziti.

Sipas bisedave tona me disa prej personave që kanë investuar para në këtë skemë piramidale, përllogaritjet ishin që brenda 2 javësh qytetarët do ta rikthenin shumën e investuar. Pra, nëse kanë investuar 1.000 dollarë, kanë pritur se do t’i kthejnë 2.000.

Sa persona janë përfshirë në këtë mashtrim nuk dihet, ashtu siç nuk dihet se sa është shuma që kanë investuar.
Në polici nuk ka paraqitje për mashtrim nga “BigCommerce”, por bëjnë apel që qytetarët të kenë kujdes kur t’u ofrohen përfitime joreale.

“Në Sektorin për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale nuk ka arritur kurrfarë paraqitje. Apelojmë deri te qytetarët të kenë kujdes dhe të mos u nënshtrohen përpjekjeve për mashtrim, veçmas nëse dukshëm ofrohen përfitime joreale, a nëse mashtrohen atë ta paraqesin në MPB”, thonë për Portalb.mk, nga MPB.

Se kur ka ardhur “BigCommerce” në RMV, përflitet prej një afati prej para tre muajve, por nuk mund të dihet saktë.
Nëse kërkojmë, rrjetet sociale janë të mbushura me shkrime dhe promovime të këtij mashtrimi.

“Urime për një nga drejtuesit e ekipit, ai bëri një tërheqje prej 20 mijë dollarësh sot. U bashkua me BC vetëm 3 muaj më parë dhe fitoi pothuajse 40 mijë dollarë në para. Besoj se të gjithë ju mund ta bëni edhe këtë. Vendosini vetes një objektiv, ky është shansi juaj për të fituar paratë e para të mëdha të jetës suaj këtu. Besoni në udhëheqësin tuaj të ekipit, synoni nivelin 4, ndërtoni gjithashtu ekipin tuaj, nuk është e vështirë për sa kohë që fitoni 20 mijë dollarë dhe mund t’ia dilni. suksese për të gjithë ju”, shkruhet në një postim të faqes “BigCommerce Free money”, që në dhjetor të vitit 2021.
Më poshtë mund të shihet një postim tjetër ku bë thirrje për investim.

Promovimi i “BigCommerce”
Promovimi i “BigCommerce”, foto nga rrjeti social Facebook

Postime të këtilla ka me qindra, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe maqedonase.

Si ka funksionuar BigCommerce?
Për të investuar para në “BigCommerce” qytetarët kanë instaluar një aplikacion, i cili u është dërguar nga ndonjë person i cili paraprakisht e ka instaluar këtë aplikacion. Dërgimi i aplikacionit te njëri tjetrit është bërë pasi përdoruesit janë joshur me përqindje nëse atë e shpërndajnë. Pra, pasi është instaluar programi, personi që e ka dërguar ka fituar një përqindje të caktuar të parave. D

Përdoruesit kanë mundur të vendosin para deri në pakufi, pra investimi nuk ka qenë i kufizuar. Megjithatë, investimi nuk është bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por nëpërmjet Binance një këmbimore e cila bën shkëmbimin e kriptovalutave në valuta të caktuara.

Përdoruesit që kanë investuar një shumë të caktuar, çdo ditë ka marrë një përqindje të parave. Pra, nëse ka investuar 1.000 dollarë ai çdo ditë në mëngjes ka marrë rreth 50 dollarë dhe çdo ditë kjo shumë është rritur ashtu siç i është rritur dhe shuma që posedon.

Aktiviteti i vetëm për “fitim” të kamatës marramendëse ka qenë klikimi i një butoni “GRAB” 50 herë, duke hutuar përdoruesit se gjoja ata kanë shitur një produkt në ndonjë prej kompanive botërore dhe përdoruesi për këtë janë shpërblyer.

Për t’i tërhequr paratë, përdoruesi, në këtë rast qytetari duhej sërish ta bëjë nëpërmjet Binance. Megjithatë, transferimi i parave nuk bëhej menjëherë, por në afat prej 4 deri në 72 orë.

Qytetarët e kanë kuptuar se janë mashtruar pasi që kanë kaluar 72 orë dhe nuk u janë transferuar paratë.
Të vetmit që janë dëmtuar janë përdoruesit që janë investuar në një aplikacion që nuk dihej se kush qëndron prapa tij.

Megjithatë, pavarësisht mashtrimit, nëpër rrjete sociale që merren me shpallje për shitblerje mund të shihen oferta për të investuar në këtë aplikacion i cili nuk është asgjë tjetër veç se një mashtrim./Portalb.mk