Në një kohë kur tensionet në Ukrainë janë në rritje dhe retorika e luftës mes SHBA dhe Rusisë sa vjen e përforcohet çdo ditë, duket se kjo gjë nuk shikohet nga i njëjti këndvështrim nga vetë popullsia ukrainase.

Në Ukrainë jeton një komunitet prej 5 mijë shqiptarësh, ku kreu i Unionit të shqiptarëve në Ukrainë, Aleksandër Dermentli në një intervistë për Report Tv, paraqiti një situatë krejt të kundërt nga ajo që raportohet çdo ditë në mediat botërore.

Sipas Dermentlit qytetarët janë të qetë dhe se nuk ka tensionet apo përshkallëzime të situatës. Ukrainasit nuk besojnë se do ketë luftë dhe se të gjitha deklaratat mes SHBA dhe Rusisë i konsiderojnë si retorikë mes politikanëve për të treguar forcën e tyre. Shqiptari thotë se në Ukrainë nuk ka asnjë ndjenjë paniku mes njerëzve dhe se prania e forcave ushtarake është thuajse e papërfillshme.

“Ne jemi larg zonës së konfliktit jemi pranë kufirit te Moldavisë. Nuk do kemi luftë, por do kemi luftë informacione, politikanët do rrinë nëpër tryeza. Jemi 5 mijë banorë shqiptarë në Ukrainë dhe përgjithësisht janë nga zona e Korçës. Ka pak trupa, por situata është nën kontroll, nuk mund të flasim për situata të tensionuara po të ndezura. Unë mendoj se luftë nuk do të ketë, tani lufta bëhet vetëm përmes informacioneve dhe se kjo situatë do të harrohet shumë shpejtë”, tha Dermentlit

Vetë Dermentlit e shikon këtë tension si një tjetër luftë të ftohtë mes SHBA dhe Rusisë, por edhe nëse ndodh ndonjë e papritur, Ukraina do të ketë në krah SHBA dhe NATO-n.

“Kjo është punë diplomatike që bëhet nga politikanët, kjo ishte e lufta e ftohtë tjetër SHBA-Rusi. Ukraina tani është më pranë SHBA dhe NATO-s dhe nuk do të ketë probleme ballë për ballë Rusisë. Nuk do të ketë luftë”, tha ai.

Një ditë më parë presidenti i SHBA-së, Joe Biden paralajmëroi se Rusia mund të pushtojë Ukrainën gjatë muajit të ardhshëm, por kjo u hodh poshtë nga Moska Zyrtare ku tha se nuk do luftë, por se shihte “pak vend për optimizëm” në zgjidhjen e krizës. Vetë Ukraina tha se nuk do ketë luftë dhe se nuk ka nevojë për panik. Moska kërkon garanci që Ukraina dhe vendet e tjera ish-sovjetike nuk do të lejohen të anëtarësohen në NATO dhe që aleanca të tërheqë trupat nga vendet e tjera të ish-bllokut sovjetik.