Rrëfimi i burrit që notoi në det më shumë një ditë për t’i mbijetuar cunamit në Tonga

Historia e një njeriu që thotë se notoi në det për më shumë se një ditë për t’i mbijetuar cunamit që goditi Tongën, ka tërhequr vëmendjen e medieve globale.


Sipas BBC, përcjell Telegrafi, shpërthimi vullkanik dhe cunami goditën vendin ishullor të shtunën, duke përfshirë drejt detit vendasin e Atata-s, Lisala Folau.

Folau tha se ai u mbajt te trungu lundrues gjatë përvojës së tij 27-orëshe në det, përpara se të arrinte sërish në breg.

Tonga ka konfirmuar tre vdekje, por shkalla e dëmit nuk dihet ende.

Folau, 57-vjeçar, tha për BBC se u frikësua kur pa valën që po afrohej, por thotë se “kishte besimin në Zot që do ta shpëtonte”.

“Kur isha në ujë mbaj mend që jam zhytur tetë herë brenda. Këmbët e mia nuk funksionojnë aq mirë”, shpjegoi ai. “Deti vazhdonte të më rrotullonte dhe më merrte nën ujë”.

Ai tha se më pas arriti të kapte një trung lundrues.

“Unë mund të dëgjoja djalin tim duke thirrur nga toka, por nuk doja të përgjigjesha sepse nuk doja që ai të dilte me not për të më gjetur… Thjesht rrotullohesha duke mbajtur trungun”, tha Folau.

“Ajo që më erdhi në mendje është se në det është jeta dhe vdekja. Derisa të arrini në breg, atëherë ju e dini nëse jeni gjallë apo i vdekur”.