Pandemia po hyn në fazë të re, ekspertët: Pranvera do të jetë normale

Pandemia e koronavirusit po hyn në një fazë të re, falë nivelit të lartë të vaksinimit dhe imunitetit natyral, çka nënkupton se pranvera dhe vera do të jenë si në kohët e parapandemisë këtë vit.

Infektologët mendojnë se gjatë pranverës gjendja do të përmirësohet, kjo për shkak të vaksinimit dhe imunitetit që do ta fitojnë qytetarët.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, pati thënë gjatë vitit të kaluar se pandemia e koronavirusit (COVID-19) të përfundojë në pranverën e vitit 2022.

Edhe presidenti i Konferencës Kantonale të Drejtorëve të Shëndetësisë në Zvicër, Lukas Engelberger ishte shprehur po ashtu optimist në lidhje me situatën pandemike.

Sipas tij, pandemia mund të përfundojë në pranverën e vitit 2022.

Ndërsa, një virolog i njohur belg, Peter Piot tha se: “Mendoj se është e qartë se po shkojmë drejt një faze të re; pikë së pari, pasi virusi po ndryshon në variante si Omicron, i cili, siç e dimë, është më i transmetueshëm, por më pak agresiv. Së dyti, falë vaksinimit, numri i vdekjeve ka rënë. Ka më pak të shtruar në terapitë intensive, kështu kjo, e kombinuar me infektimin natyral, do të thotë se kemi imunitet kolektiv”.

Ndërsa shkenca parashikon se Covid-19 nuk do të zhduket në të ardhmen e afërt, kompanitë farmaceutike vijojnë punën për të ripërshtatur mjetet e luftës. Pas Pfizer, edhe Moderna thotë se do të ketë së shpejti gati vaksinën kundër variantit Omicron, e cila, siç thotë, do të hyjë në fazën e testimit klinik javët e ardhshme.

Kompnia beson se do të mund të ndajë të dhënat mbi sigurinë dhe efektshmërinë e saj, në muajin mars. Moderna po zhvillon gjithashtu një vaksinë të vetme që kombinon dozën përforcuese me një vaksinë eksperimentale kundër gripit.