Osmani: Të premten në Kuvend do të diskutohet për Bullgarinë

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski vlerëson se bisedimet me Bullgarinë po zhvillohen në mënyrë jotransparente. Ai deri në Kuvend dorëzoi kërkesë që ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, të vijë në Kuvend e të diskutohet për negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Mes tjerash ka kërkuar që para deputetëve në Komisionin për punë të jashtëm të dorëzohet planin 5+1 me përgjigjet që i janë dërguar Sofjes zyrtare.


“Këtë e kërkojmë sepse vlerësojmë se nuk është transparente dhe nuk është demokratike përderisa deputet e Kuvendit bullgar e dinë atë që deputet maqedonas nuk e dinë. Opinioni publik maqedonas nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Kuvend kanë të drejtë të marrin vesh se për çka bëhet fjalë, a ka diçka për të fshehur ose ka diçka për tu biseduar me të gjithë deputet”, tha Milloshoski.

Pjesëmarrjen në Kuvend e konfirmoi edhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani. Nga kabineti i tij thonë se përgjigja është dërguar edhe te kryetari i Komisionit për politikë të jashtme.

“Ju informojmë se ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani, ka konfirmuar pjesëmarrjen në Komisionin për politikë të jashtme që do të mbahet më 28 janar, ditën e premte”, thanë nga Kabineti i Bujar Osmanit.

Kërkesa e Milloshoskit erdhi në momentin derisa në Sofje po zhvillohej seanca e përbashkët mes dy qeverive, asaj të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.