OKB: Mbi 8 milionë njerëz në Nigeri kanë nevojë për ndihma emergjente humanitare

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se mbi 8 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë emergjente humanitare për shkak të sulmeve terroriste në verilindje të Nigerisë, transmeton Anadolu Agency (AA).


Zyra e koordinimit humanitar të OKB-së (OCHA), në një deklaratë nga llogaria e saj Twitter njoftoi se nuk ka ndonjë shenjë që do të pakësohet dhuna që buron nga organizata terroriste Boko Haram e cila vepron në rajon një kohe të gjatë.

“Për shkak të sulmeve në rajon, 8.3 milionë njerëz kanë nevojë për ndihma emergjente humanitare”, thuhet në deklaratën në të cilën theksohet se “12 vjet më vonë, kriza në verilindje të Nigerisë nuk tregon shenja të pakësimit”.

Zëvendës sekretari i përgjithshëm për çështjet humanitare dhe koordinatori i OKB-së për ndihma emergjente, Martin Griffiths dhe delegacioni bashkë me të vizituan qytetin Maiduguri të Nigerisë.

Në një fjalim këtu, Griffiths tha se për shkak të ndihmave emergjente humanitare që ka nevojë rajoni, ai ka inkurajuar drejtimin e një ekipi të OKB-së dhe partnerëve të saj drejt rajonit Borno që është qendra e dhunës.

“Partneriteti ynë mbështetës është diçka që ne e bëjmë si pjesë e detyrës dhe përgjegjësisë tonë në këtë situatë”, tha Griffiths.

Pavarësisht operacioneve të ndërmarra në vitet e fundit, Boko Haram përbën një problem serioz për sigurinë e Nigerisë, vendin më të populluar të Afrikës.

Që nga viti 2009 më shumë se 20 mijë njerëz kanë humbur jetën në aktet masive terroriste të kryera nga Boko Haram, e cila në Nigeri është e pranishme që nga fillimi i viteve 2000.

Organizata terroriste që nga viti 2015 e deri më tani ka ndërmarrë sulme edhe në shtetet fqinje si Kamerun, Çad dhe Niger. Të paktën 2.000 persona e kanë humbur jetën nga sulmet e organizatës në pellgun e liqenit të Çadit.

Për shkak të sulmeve terroriste dhe konflikteve në vend, qindra mijëra njerëz janë detyruar të migrojnë.