Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë alarmin për përhapjen e një nënvarianti të ri të mutacionit Omicron.

Në përditësimin e saj të fundit, OBSH tha se nënvarianti i ri, i quajtur BA.2, është “pasardhës i Omicron”, ky i fundit tashmë variant dominues, shumë ngjitës. Ndryshe nga Omicron, BA.2 aktualisht nuk konsiderohet një “variant shqetësues”.

Por ndërsa përhapet në shumë vende, OBSH-ja po u kërkon qeverive dhe shkencëtarëve në mbarë botën që të “monitorojnë situatën dhe të studiojnë nënvariantin e ri”.

Që nga e premtja e kaluar, BA.2 ishte zbuluar tashmë në të paktën 40 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara. Ai tashmë është përhapur me shpejtësi në Danimarkë, ku raportet e hershme tregojnë se nuk duket të jetë më vdekjeprurës se varianti bazë. Varianti dytësor tani po përhapet me shpejtësi në Mbretërinë e Bashkuar.