Futbolli shqiptar ka humbur sot një tjetër personalitet. Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare Robert Jashari, ish-futbollisti i njohur i ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe i Partizanit në vitet 1950-60.

Jashari ka hyrë në histori edhe për faktin se ka shënuar golin e parë të Shqipërisë në eliminatoret e një Kampionati Botëror, në Belfast kundër Irlandës së Veriut në vitin 1965. Jashari ka fituar trofeun “Këpuca e Artë “ për 3 sezone radhazi, si golashënuesi më i mirë ne edicionet 1962-65 dhe ka dhënë kontribut të veçantë edhe në fushën e trajningut, ku ka drejtuar me sukses disa skuadra. Në vitin 2016, FSHF e ka nderuar Robert Jasharin me titullin “Legjenda e futbollit shqiptar”.

LEXO EDHE:Zyrtare/ Berhami ndërpret bashkëpunimin me Genoa, klubi i njohur italian shfaq interes për mesfushorin

Përmes një postimi në rrjetet sociale Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka shprehur trishtimin për ndarjen nga jeta të Jasharit, duke vlerësuar kontributin e tij në futboll.

“Kjo e shtunë nisi me një lajm që na hidhëroi shumë. Është ndarë nga jeta Robert Jashari, ish-futbollisti i njohur i ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe i Partizanit në vitet 1950-60.

Një personalitet me shumë vlera që do të na mungojë të gjithëve, do t’i mungojë futbollit shqiptar.

Dua t’i shpreh ngushëllimet me të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të Robert Jasharit. Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm. U prehtë në paqe!”, – tha Presidenti Duka.