Pandemia e Covid-19 ka shtuar numrin e diabetikëve. Mjeku endokrinolog, Dashamir Gjergji në studion e ABC Live, renditi faktorët e shtimit. Sipas tij kjo vjen për shkak se qytetarët u bënë më të ndërgjegjësuar nga frika e Covid dhe bënë më shumë kontrolle, ku edhe kanë zbuluar më pas që vuanin nga diabeti.

Në rritjen e numrin të personave me diabet, sipas mjekut ka ndikuar edhe trajtimi i gabuar me kortizonikë për Covid.

“Është shtuar numri i diabetikëve, pas Covid. Nga pikëpamja numerike është shtuar numri i atyre që nuk e dinin më parë që e kishin.

Numri i diabetikëve është shtuar sepse njerëzit janë bërë më të ndërgjegjësuar. E dyta mund të kenë qenë me diabet por nuk kanë ndjekur dhe sërish nga frika. Edhe rritja e këtij numri ka të bëjë me këtë fenomen. Kemi fatkeqësisht, ka patur përdorim, duke qenëse Covid ishte sëmundje agresive, është përdorur pasivisht kortizonikët. Ne e dimë mirë që kur përdoren shkaktojnë diabet.

Kur ndodh diabeti nga këto kortizonikët, fatmirësisht me eliminimin e këtyre barnave kemi kthim në normë dhe ky është diabet i përkohshëm.

Nuk mund të japim kortizonikë që ditën e parë të Covid. Dhënia e barnave në mënyrë jo korrekte dëmton. Diabetikët e kanë kaluar më keq Covid dhe vdekshmëria është më e lartë. Vetëm stresi në vetvete ndikon në rritjen e nivelit të sheqerit në gjak”, tha Gjergji.

Mjeku shton më tej se pasojat më të mëdha Covid i kishte tek mosha e tretë.

“Diabeti është sëmundje e moshës së tretë, kryesisht. E dyta, Covid pasojat i kishte më shumë te mosha e tretë. Ndaj te diabetikët kemi pasur probleme kryesisht te ata të çekuilibruar, te ata që nuk edinin ose të trajtuar keq”, u shpreh ai.