Mbledhja e përbashkët në Sofje, Grubi: Hapim një kapitull shumë të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët tanë

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive, Artan Grubi bashkë me delegacionin qeveritar të udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Sofje të Bullgarisë.


Në kuadër të vizitës nesër në rezidencën “Bojana” do të mbahet seancë e përbashkët e qeverive të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, e cila do të fillojë me fjalimin e kryeministrave Kirill Petkov dhe Dimitar Kovaçevski, ndërsa është paraparë të nënshkruhen edhe disa dokumente bilaterale.

“Në prag të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Sofje agjendën e ditës së sotme e filluam me pritjen zyrtare nga ana e kryeministrit Petkov dhe kabinetit të tij e me këtë rast po hapim një kapitull shumë të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët tanë. Bashkë me kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov si dhe kolegë ministra vizituam Qendrën kulturore informative në Sofje. Kjo qendër është shembull për marrëdhëniet me Republikën e Bullgarisë dhe vend ku krijohen raporte miqësore”, ka theksuar zëvendëskryeministri Grubi.

Vizita e sotme në Sofje, shton ai, po realizohet në drejtim të thellimit të bashkëpunimit dhe siç thekson, “të tregojmë se mund të punojmë për të mirën e të dy vendeve, rajonit por edhe më gjerë në shumë sfera bashkë në familjen e madhe evropiane”.

Mbledhja e përbashkët pason pas vizitës zyrtare javën e kaluar të kryeministrit bullgar Petkov në Shkup, kur u dakordua formimi i grupeve të punës nga të dyja anët të cilat duhet të punojnë intensivisht për tejkalimin e moskuptimeve dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.