Macron: Kostoja për Rusinë do të jetë shumë e lartë, nëse sulmon Ukrainën

Ekziston një unitet shumë i fortë midis Francës dhe Gjermanisë në përpjekje për të zbutur tensionet mbi krizën e sigurisë Rusi-Ukrainë. Kështu u shpreh presidenti francez Emmanuel Macron, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kancelarin Olaf Scholz në Gjermani.

Ai theksoi se në rast të një sulmi, përgjigja do të jetë aty dhe kostoja për Rusinë do të jetë shumë e lartë.

“Ne po përgatisim njëkohësisht reagimin dhe përgjigjen e përbashkët në rast sulmi,” theksoi ai, duke pohuar se Perëndimi ishte i bashkuar dhe duke përsëritur thirrjen e tij të përbashkët për de-përshkallëzimin e tensioneve.

Macron konfirmoi se do të flasë me telefon me presidentin rus Vladimir Putin të premten, gjë që ëhstë konfirmuar po ashtu edhe nga Kremlini. Presidenti francez u shpreh se do të propozojë një “hartë rrugore për de-përshkallëzimin” në ditët e ardhshme.

Parisi do të presë gjithashtu një takim të këshilltarëve të lartë nga Gjermania, Rusia dhe Ukraina të mërkurën, në përpjekje për ringjalljen e dialogut që filloi në vitin 2015.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane kanë marrë masa për të mbrojtur furnizimet evropiane me gaz nëse Rusia vendos t’i ndërpresë ato, nëse konflikti shpërthen në Ukrainë, tha Uashingtoni të martën.