Kurti “kapitullon” me energjinë: Ose rrisim çmimin, ose shtojmë subvencionet

“Dikush duhet të paguajë për energjinë e shpenzuar”. Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konferencë për shtyp ku foli për krizën energjitike që ka prekur vendin. Rritja e tarifave të energjisë dhe subvencionimi i tyre, sipas Kurtit, është rruga që duhet ndjekur për të përballuar çmimet e larta të importit.


“Energjia e importuar me çmim shumë të lartë është konsumuar, dikush duhet ta paguajë. Dhe janë tri mënyra se si mund të bëhet financimi është rritja e tarifave, rritja e subvencionit apo edhe reduktime të ashpra të energjisë. Ne e pamë se sa të dëmshme janë reduktimet e energjisë edhe për amvisëritë edhe për bizneset. Prandaj, ne jemi në situatën ku rritja e tarifave dhe rritja e subvencionit ngelen e vetmja rrugë përpara në mënyrë që të përballemi me këtë krizë.”

Kreu i ekzekutivit akuzoi qeveritë e kaluara për gjendjen në të cilat janë termocentralet, duke shtuar se Kosova ndodhet në mëshirën e tregtarëve të energjisë.

“Po qe se nuk do të ishte vjedhur pa mëshirshëm, njësoj edhe si në tenderët e panumërt sot gjendja në prodhim te kapacitetet e KEK-ut do të ishte krejtësisht ndryshe, e nuk do të kishte rënie të vazhdueshme të blloqeve siç po na ngjan. Në Kosovë prej nga viti 2005 ka filluar të flitet për ndërtim të kapaciteteve të reja prodhuese, sikur të ishte filluar me kohë ndërrimi i kapaciteteve të reja apo edhe rindërtimi i Kosovës, sot nuk do të kishte nevojë fare për import të energjisë, por përkundrazi kriza energjetike sot do të mund të sillte përfitime për prodhuesit vendor.”

Kurti pohoi se masat e propozuara janë të përkohshme. Ato synojnë zbutjen e krizës deri sa të gjendet një zgjidhje përfundimtare.