Ku janë gjasat më të mëdha që të infektoheni me coronavirus? Shkencëtarët kanë publikuar një studim të ri

Sa janë shanset për t’u infektuar me coronavirus në kinema? Apo në palestër, por duke mos vendosur maskën? Apo gjatë një vrapimi herët në mëngjes në park?

Një studim i publikuar në Environmental Science & Technology, i krijuar në bashkëpunim me disa shkencëtarë ndërkombëtarë, u jep përgjigje këtyre pyetjeve.

Dihet mirë se disa aktivitete mbartin rreziqe të ndryshme të ekspozimit ndaj coronavirusit, por një studim i ri heq shumë dilema, duke ofruar vlerësime të qarta, transmeton Telegrafi.

Studiuesit pas këtij punimi analizuan epidemitë dhe ngjarjet e super përhapjes dhe studiuan faktorët që pengojnë dhe ndihmojnë në përhapjen e virusit, për të hartuar një model matematikor që merr parasysh shumë faktorë përpara se të japë një përqindje të rrezikut të infeksionit.

 

Duke shkuar në kinema

 

Shkencëtarët vërejnë se këto përqindje nuk janë një vlerësim krejtësisht i saktë, por ato ndihmojnë në përgjigjen e disa pyetjeve komplekse: Në cilat situata kam më shumë gjasa të infektohem? Në cilën ka më pak gjasa?

Nëse hyni në një kinema të mbushur me njerëz me ventilim të dobët dhe një audiencë kryesisht të pa maskuar, ka gjasa prej 14 për qind për t’u infektuar, duke supozuar se të gjithë në dhomë janë të heshtur para, gjatë dhe pas filmit, pretendon studimi.

Por nëse ka njerëz që flasin shanset e infektimit nëse askush nuk mban maskë shkon në 54 për qind. Nëse të gjithë mbajnë maskë, rreziku i infektimit bie në 5.3 për qind pa folur dhe 24 për qind nëse flasin.

Duke pasur parasysh se cornaviriusi po përhapet kryesisht përmes grimcave në ajër – maskat, ventilimi, numri i njerëzve në një dhomë apo ndërtesë dhe koha e kaluar në atë hapësirë janë faktorë kyç.

Ajo që ndodh rreth individit është gjithashtu e rëndësishme.

 

 

Rreziku më i madh është ushtrimi intensiv

Rreziku më i madh është ushtrimi intensiv, pastaj të bërtiturit dhe të kënduarit, pastaj të folurit normal.

Kategoria e “mjedisit të qetë” është më pak shqetësuese, tha studimi. Jo çuditërisht, qëndrimi jashtë dhe mbajtja e një maske është mënyra më e mirë për të shmangur coronavirusin, shkruajnë studiuesit.

Ushtrimet intensive në një vend të ajrosur dobët plot me njerëz pa maska janë pothuajse një mënyrë e sigurt për t’u infektuar me coronavirus – shanset janë deri në 99 për qind.

Ushtrimi qoftë edhe për një kohë të shkurtër në një palestër të ajrosur mirë gjasat që të infektoheni janë 17 për qind nëse nuk përdoren maska. Dhe nëse është e ajrosur dobët? Shanset janë 67 për qind, pohojnë shkencëtarët.

 

 

Ventilim, maska, ajrosje…

Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se duke vendosur maska, vaksinime dhe një distancë prej të paktës dy metrash, ventilimi i përmirësuar – duke përfshirë dritaret e hapura dhe pastruesit portativë të ajrit – mund të ndihmojnë në frenimin e përhapjes së coronavirusit.

“Me ventilim të mirë, përqendrimi i grimcave virale në ajër do të jetë më i ulët dhe ato do të largohen nga shtëpia juaj më shpejt sesa me ajrosje të dobët”, thonë ata.

Por shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se shumë objekte të brendshme, biznese, shkolla, kisha – ndërtesat në të cilat kalojmë jetën tonë të përditshme – nuk janë të dizajnuara ose të pajisura siç duhet për të përballuar një pandemi.

“Ne kemi nevojë urgjente për të përmirësuar sigurinë e ajrit që thithim në një sërë mjedisesh”, shkruajnë studiuesit.

“Të dhënat nga epidemia e coronavirusit tregojnë vazhdimisht se një pjesë e madhe e ndërtesave në mbarë botën kanë ventilime shumë të dobëta”, përfundojë studimi.

Theksojmë se Kosova deri më tani ka rreth 200 mijë raste me coronavirus ndërsa kanë vdekur 3012 persona që prej fillimit të pandemisë.

Ndryshe, rreth 366 milionë njerëz në botë janë infektuar me virus gjersa 5.64 milionë persona kanë ndërruar jetë.