KSI-Maqedoni rekomandon që të ulet numri i ditëve në izolim nga 10 në 7 ditë

Ministria e Shëndetësisë njofton se ulja e periudhës nga 10 në 7 ditë të izolimit për pacientët e infektuar me coronavirus është qëndrimi që doli nga seanca e sotme e jashtëzakonshme e Komisionit për Sëmundjet Infektive.


Nga atje thonë se vendimi merret nga Qeveria me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, bazuar në rekomandimet e Komisionit për Sëmundjet Infektive dhe miratimin nga Shtabi i Përgjithshëm i Krizave.

Në mbledhjen e Komisionit, theksojnë nga atje, nuk u fol për heqjen e certifikatave dhe mbajtjen e maskave mbrojtëse nga nxënësit në fillim të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor. Këto çështje do të diskutohen më tej në disa nga mbledhjet e ardhshme të Komisionit.

Nga MSH thonë se po monitorohet nga afër situata dhe analizat për momentin tregojnë se ka ende kapacitet për akomodim në spitale.

Megjithatë, nisur nga rrethanat, në seancën e sotme u diskutua për nevojën e një reagimi të shpejtë nëse tabloja ndryshon dhe spitalet janë plot. Në rrethana të tilla, Ministria e Shëndetësisë do të vinte menjëherë në funksion edhe kapacitetet e tjera të institucioneve publike shëndetësore.