Më shumë se 200.000 shpendë janë asgjësuar në Holandë për shkak të gripit të shpendëve, njoftoi ministria holandeze e bujqësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Në fermat në qytetin verior Grootschermer dhe Willemstad, të cilat i përkisnin të njëjtës kompani, u asgjësuan rreth 216.000 pula”, tha Ministria holandeze e Bujqësisë, Natyrës dhe Cilësisë së Ushqimit.

Për shkak të kujdesit në luftën kundër një sëmundjeje shumë të rrezikshme dhe ngjitëse, është pezulluar transporti ndërmjet fermave të shpendëve.

“Mostrat janë marrë nga ferma të tjera, ndërsa zhvillimet po monitorohen nga afër,” shtoi ministria.

Gripi i shpendëve është një sëmundje ngjitëse e shpendëve e shkaktuar nga lloje të caktuara të virusit të influencës A. Virusi i influencës është jashtëzakonisht i ndryshueshëm dhe i nënshtrohet ndryshimeve gjenetike të vazhdueshme (mutacione dhe ndryshime të gjeneve ndërmjet llojeve) dhe shfaqet në një numër të madh nëntipesh dhe llojesh, nga të cilët vetëm një i numër i vogël çon në sëmundje të theksuara te shpendët.

Shumica e rasteve të gripit të shpendëve te njerëzit shoqërohen me kontakt të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me shpendët e infektuar të gjallë ose të ngordhur.

Që kur u raportua për herë të parë në Hong Kong në vitin 1997, sëmundja ka qenë përgjegjëse për epidemitë dhe vdekjet në 16 vende në Afrikë, Azi, Evropë dhe Lindjen e Mesme.