Qeveria e Kosovës sot ka marrë masa të reja karshi menaxhimit të situatës me virusin COVID-19.

Në mesin e këtyre masa është edhe shkurtimi i punës së restoranteve dhe kafiterive, e po ashtu edhe lëvizjes së lirë të qytetarëve.

Për këtë ka reaguar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se është kundër këtyre masave dhe se Qeveria e Kosovës keq-menaxhimin e situatës po u bie në qafë gastronomëve dhe qytetarëve të vendit.

“Për papërgjegjësitë e veta dhe keqmenaxhimin e situatës me pandeminë, qeveria tani po i bie në qafë qytetarëve dhe gastronomëve duke kufizuar orarin e lëvizjes dhe mbylljen e hershme të gastronomisë. Këto masa tashmë nuk kanë asnjë efekt në parandalimin e përhapjes së virusit, siç edhe është dëshmuar”, shkruan ai.

Ndër të tjera Haradinaj i ka bërë thirrje Qeverisë që të jetë më e përgjegjshme përballë situatave të ndjeshme si pandemia, duke analizuar mirë masat, e jo duke ndërmarrë veprime ad hoc.

“Prandaj jemi kundër masave të votuara dhe i bëjmë thirrje qeverisë që të jetë më e përgjegjshme përballë situatave të ndieshme si pandemia, duke analizuar mirë masat, e jo duke ndërmarrë veprime ad hoc e ndëshkuese ndaj qytetarëve pa asnjë efekt në pengimin e përhapjes së virusit”, thotë ai.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ndër të tjera ka miratuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19.

Pas shqyrtimit është miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e  Pandemisë COVID-19 sipas vlerësimit të situatës epidemiologjike në vend nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetësisë Publike.

Me masat e reja kufizimi i qarkullimit të qytetarëve do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00, ndërkaq shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:00.