Franca porosit qytetarët e saj: Shtyni udhëtimet në Ukrainë nëse nuk janë të domosdoshme

Autoritetet franceze sot kanë këshilluar qytetarët e tyre që shtyjnë udhëtimet që nuk janë të domosdoshme në Ukrainë, dhe të mos udhëtojnë në zonën përgjatë kufirit në veri dhe lindje të këtij vendi – në kohën kur janë rritur tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës.


“Propozohet shtyrja e udhëtimeve që nuk janë të domosdoshme në Ukrainë… Në kontekstin e tensioneve dhe koncentrimin e trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën, rekomandohet të mos udhëtohet në veri dhe lindje përgjatë kufirit të këtij vendi”, ka njoftuar ministria franceze e Punëve të Jashtme.

Për dallim nga SHBA-të dhe Britania e Madhe, Franca aktualisht nuk po kërkon që personeli i ambasadës apo familjet e diplomatëve të stacionuar në Ukrainë, të largohen nga vendi.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian sot ka bërë të ditur se nuk synon të ndjekë hapat e SHBA-ve që ka tërhequr familjet e diplomatëve të saj. E ministria e Jashtme e Britanisë, njoftoi sot se po tërheq personelin nga ambasada e saj në Kiev, për shkak të kërcënimeve që mund të vijnë nga Rusia.

Edhe Australia gjithashtu ka këshilluar qytetarët e saj që të mos udhëtojnë në Ukrainë, për shkak të rrezikut të një konflikti të armatosur.