Prodhuesit britanikë të veturave luksoze, “Bentley” dhe “Rolls-Royce”, duket se nuk po preken nga pandemia, pasi shënuan shifra rekorde të shitjeve vitin e kaluar.

Kompania që njihet për veturat më luksoze në botë, “Rolls-Royce”, shiti 5.586 vetura vitin e kaluar, që është shifra më e lartë në historinë 117-vjeçare të prodhuesit të famshëm.

Edhe “Bentley” shënoi rekord, duke shitur 14.659 vetura vitin e kaluar. Ky numër është për 31 për qind më i lartë se në vitin 2020, shkruan CNN, përcjell Gazeta Express.

Zakonisht, këto shifra do të ishin dështim për kompanitë tjera të veturave, por për prodhuesit që ofrojnë modele si “Rolls-Royce Phantom” prej 455.000 dollarësh ose “Bentley Flying Spur” prej 200.000 dollarësh, numri i kombinuar prej më shumë se 20.000 veturave të shitura paraqet sukses historik.

Edhe më herët ka pasur shenja se pandemia nuk do të paraqesë pengesa për këta prodhues. “Rolls-Royce” ka shënuar rekord shitjesh edhe më 2019. Pandemia e pengoi prodhimin për ca kohë më 2020, por posa u rihapën fabrikat, prodhuesit e veturave luksoze raportuan shitje të fuqishme në çerekun e katërt. Prodhuesi “Bentley” madje shënoi rekord më 2020, pavarësisht mbylljes 7-javore të fabrikave.

Shefi i “Betley”-t, Christophe Georges, tha se rekordi i vitit të kaluar është arritur pjesërisht nga rimëkëmbja e fuqishme ekonomike dhe shkalla e ulët e interesit, faktorë që kanë ndikuar në rritjen e kërkesës për vetura në përgjithësi. Për të mirë ndikuan edhe disa variante të reja të modeleve.