Austria vendi i parë që miraton vaksinimin me detyrim, lotari dhe çmime për të bindurit

Austria ka miratuar sot në Parlament vaksinimin me detyrim kundër COVID-19, për të gjithë popullsinë në moshë madhore, duke qenë vendi i parë i BE-së që merr një masë kaq drastike, e propozuar prej kohësh por tashmë zyrtarizuar.


Në Parlament votuan kundër vetëm deputetët e partisë së djathtë Fpo, ndërkohë që 137 në 170 deputetë i dhanë votën qeverisë së Vjenës.

Vendimi u mor për të rritur shifrat e vaksinimit, qe me rreth 72% e rendisin vendin në fund të listës në Europën perëndimore.

Pikërisht për të incentivuar vaksinimin tek skeptikët, qeveria austriake ka vendosur edhe krijimin e një lotarie për ata që vaksinohen, me çmime të shumta që mund të shpenzohen në njësite tregtare të vendit.

Nga ana tjetër për ata që në 1 shkurt, kur parashikohet detyrimi, ende do refuzojnë vaksinën, parashikohen gjoba të majme, deri në 3800 euro.