Austria heq orën policore për të pavaksinuarit

Të hënën përfundon ora policore për personat e pavaksinuar, e cila hyri në fuqi në Austri në nëntor të vitit të kaluar si pjesë e luftës kundër COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Karl Nehammer dhe ministri i Shëndetësisë, Wolfgang Muckstein informuan publikun mbi epideminë e koronavirusit.

Nehammer deklaroi se pavarësisht përhapjes së shpejtë të variantit Omicron në Austri, kjo nuk shkaktoi rritje serioze të numrit të pacientëve në repartin e kujdesit intensiv dhe spitalet.

Duke u shprehur se ngjarjet në lidhje me Omicronin po monitorohen nga afër, Nehammer tha se nga e hëna e 31 janarit do të hiqet ora policore për personat e pavaksinuar.

Ministri i Shëndetësisë, Muckstein tha se në ditë janë regjistruar deri në 30 mijë raste të reja me COVID-19. Ai beson se vala e Omicronit do të arrijë nivelin më të lartë në ditët në vijim dhe do të vazhdojë me masat strikte tashmë të vendosura.

Muckstein tha se vaksinimi i detyrueshëm do të ndihmojë shoqërinë të përgatitet për variantet e mundshme të koronavirusit që mund të shfaqen pas Omicronit.

Për shkak të rritjes së ndjeshme të numrit të pacientëve në repartin e kujdesit intensiv gjatë periudhës kur varianti Delta i COVID-19 ishte dominues në Austri, qeveria vendosi orë policore për të pavaksinuarit në nëntor 2021 dhe për të vaksinuarit në dhjetor.

Kufizimet për të vaksinuarit janë hequr para vitit të ri.