Policia e rajonit të Prishtinës, respektivisht Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme, ka arrestuar një të dyshuar për veprat; “Mashtrim”, si dhe “Prezantim i rremë”.

Sipas informacioneve të konfirmuara deri më tani, i dyshuari duke shfrytëzuar rrethana të ndjeshme të rasteve të caktuara në procese gjyqësore , ka provuar ti vë në lajthim viktimat dhe duke u prezantuar rrejshëm si person zyrtar, ka kërkuar nga ta favore monetare, në këmbim të ndihmës në procese të caktuara gjyqësore.

Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve, njësia e hetimeve të përgjithshme e rajonit të Prishtinës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, që nga data 26.08.2021, ka kryer veprime hetimore dhe veprime të tjera operative që rezultuan me identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarit;
Besnik Beqiri, 38 vjeç, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës.

I dyshuari u arrestua nën dyshimin për veprat penale të sipër cekura, pas ndalimit që policia i bëri më datë 23.01.2022, me ç ‘rast përgjatë kontrollit të veturës së tij u gjetën dhe u sekuestruan kopje të ndryshme të dokumenteve personale që dyshohet të jenë të viktimave të mashtrimit.

Ndërkohë që policia po vazhdon hetimin e rastit, janë identifikuar dhe intervistuar disa nga viktimat e mashtrimit dhe në të njëjtën kohë inkurajon të gjithë ata që mundë të jenë viktimë e mashtrimeve të tilla të paraqiten në stacionin më të afërt policor.

I dyshuari me aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje, për t’iu shqiptar më pas masa e sigurisë me paraburgim prej 30 ditësh, si vijimësi e fazave të mëtejme të procesit hetimor.