Nuk ka shumë kohë që është ndërtuar, por është menduar për ndryshime.

Stadiumi kryesor në Shqipëri, “Arena Air Albania” pritet të ketë rritje të kapacitetit në një të ardhme të afërt.

Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit pohojnë për ABC-në se drejtuesit kanë diskutuar për shtimin e vendeve deri në 25 000, një rritje me rreth 3 000 stola në krahasim me kapacitetin e tanishëm.

Kjo rritje do të bëhet për arsye se kërkesat për bileta nga ana e tifozëve kanë qenë shumë të mëdha, duke ia kaluar shumë mundësisë për t’i kënaqur.

Gjithsesi, shtimi i stolave nuk mund të bëhet duke tejkaluar ndjeshëm numrin e rreth 22 000 vendeve të ulura që ka “Arena” sot për sot.

Nuk dihet se kur mund të nisin punimet dhe sesa mund të kushtojnë, ndërsa ende projekti është në fazën e diskutimit.

Stadiumi, I ndërtuar mbi vendin e ish-impiantit kombëtar “Qemal Stafa”, u përurua në 17 nëntor 2019 me ndeshjen Shqipëri-Francë të vlefshme për eleminatoret e Euro 2020.

Sipas burimeve në FSHF, ai kushtoi rreth 75 milionë euro, me punimet që nisën në qershor 2016, ndërsa u deshën më shumë se 4 vjet për t’i përfunduar.

Edhe pas përurimit, stadiumi pati probleme të mëdha me fushën të cilat duket se janë tejkaluar tashmë, me tapetin e ri me barin hibrid.