Ambasadori amerikan në OSBE: Është e drejtë sovrane e Kosovës të lejojë apo jo zgjedhjet e shteteve të tjera në territorin e saj

Ambasadori amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Carpenter, tha se Kosova dhe Serbia duhet të sigurojnë që qytetarët e të dyja vendeve të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, ndërsa nënvizoi se është e drejtë sovrane e Kosovës të përcaktojë kushtet në të cilat shtete tjera sovrane mund të organizojnë zgjedhje në territorin e saj.

Ambasadori Carpenter i bëri këto komente duke folur rreth referendumit për ndryshimet kushtetuese që u zhvillua në Serbi më 16 janar, por i cili nuk u lejua të mbahej në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara e mirëpresin referendumin në Serbi në të cilin u miratuan ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me reformën në sistemin e drejtësisë.

Para referendumit, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan partnerëve evropianë duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve serbë që të marrin pjesë, tha ai.