Abazoviq: Qeveria aktuale e ka përfunduar misionin e saj

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka folur për herë të parë për mediat pas kaosit qeveritar.


Abazoviq në njërën anë ka kërkuar krijimin e një qeverie të pakicës ndërsa kryeministri, Zdravko Krivokapiq shkakrkimin e politikanit shqiptar.

“Qeveria aktuale ka përfunduar misionin e saj dhe në periudhën e ardhshme do të duhet të zgjedhë mes dy koncepteve – qeveri e pakicës apo teknike, ose të shkurtojë mandatin e Kuvendit dhe të shkojë në zgjedhje parlamentare”, tha zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe kreu i Lëvizjes Qytetare URA-s, Dritan Abazoviq.

Ai tha se gjithçka duhet diskutuar fillimisht me Frontin Demokratik. “Unë besoj se nga e hëna, ndoshta gjatë fundjavës, fillimisht do të flas me drejtuesit e DF”, ka pohuar ai gjatë një interviste për rtcg..

Ai theksoi se qeveria e pakicës është njëra nga zgjidhjet, ndërsa tjetra është qeveria teknike që do të përgatiste zgjedhjet, “Në asnjë version nuk përjashtohet shumica parlamentare… Nuk ka vullnet popullor pa koalicionin ‘E Zeza në të Bardhë’”.

I pyetur nëse ka vend për serbët në Qeveri, Abazoviq tha – sigurisht që ka, shkruan vijesti.me.

Abazoviq pohon gjithashtu se kryeministri Zdravko Krivokapiq, përmes dy ministrave të tij, u përpoq të përjashtonte URA-në nga qeveria në bisedimet me përfaqësuesit politikë të pakicave kombëtare.

Zëvendëskryeminstri gjithashtu tregoi se hera e fundit që e ka takuar presidentin e shtetit dhe liderin e DPS-së, Milo Gjukanoviq, ka qenë kur ka pasur bisedime për ambasadorët e ri.

Ai tha se supozoi se Gjukanoviq, si dikush me përvojë politike, “e di kur është boll më”.

“Sipas mendimit tim modest, Gjukanoviq së shpejti do të tërhiqet politikisht. Koha do të tregojë nëse kam të drejtë”, pohoi ai.

Ndryshe, Kuvendi i Malit të Zi ka përcaktuar tre seanca parlamentare gjatë muajit të shkurt që përfshijnë shkarkimin e Abazoviqit, shkurtimin e mandatit të Parlamentit dhe votëbesimi i Qeverisë.