A do të vazhdojë “tortura” e qytetarëve nga përmbaruesit?

Filloi procedura për ndryshimin e Ligjit për Përmbarim, përmes së cilës parashihet lehtësimi i punës së përmbaruesve. Ndryshimet e planifikuara tashmë janë vendosur në ENER (Regjistrin e vetëm nacional elektronik për rregullore në Maqedoninë e Veriut). Siç njoftohet, ndryshimet kyçe pritet të bëhen në pjesën ku është hasur në probleme gjatë përmbarimit të pasurive të paluajtshme. Ligji parasheh që të ketë shpallje publike elektronik për shitjen e gjërave të sekuestruara. Nga ana tjetër, do të ketë ndryshime në dispozitat ligjore për dorëzimin e vendimeve për përmbarim, por nuk specifikohet saktësisht se çfarë ndryshime do të ketë.


“U krijuan probleme në praktikën e përmbaruesve në përmbarimin e pronave të paluajtshme, ndëraa aplikimi i teknologjisë dixhitale në të gjitha sferat e jetës shoqërore ka imponuar nevojën e futjes së tenderit publik elektronik. Nga ana tjetër, problemet në zbatimin e dispozitave për dorëzimin dhe thjeshtësimin e procedurave në interes të kreditorëve dhe përmbaruesve imponuan nevojën e ndryshimit të ligjit dhe rregullimin e dispozitave, me qëllim për zbatimin konsekuent të Ligjit për Përmbarim”, thuhet mes tjerash në shpjegim.

Ndryshe, në marrëveshjen për hyrje të Alternativës në Qeveri, marrëveshje kjo që u arrit mes ish kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të Alternativës Afrim Gashi, kusht ishte eshe ndryshimi i Ligjit për Përmbarim.

Në përgjithësi qytetarët vazhdimisht ankohen nga përmbaruesit. Lëndët e disa përmbaruesve që dalin në pension kalojnë tek përmbaruesit e rinj, të cilët vendosin llogari shtesë. Sipas statistikave të Bankës Popullore, deri në qershor të vitit të kaluar janë bllokuar mbi 180 mijë llogari transaksionesh në pronësi të qytetarëve./TV21