VMRO nuk demanton që është pajtuar me Kryeministrin shqiptar

Zëvendëskryeministri i parë Grubi në pyetjen sa i përket kryeministrit shqiptar se a do të bëhet realitet është përgjigjur duke thënë se kjo punë është e kryer. Gjithashtu Grubi ka thënë se edhe Mickoski është pajtuar që në 100 ditët e fundit të bëhet kryeministri shqiptar.

“Për kryeministrin shqiptar në 100 ditëshin e fundit puna është e kryer. Këtë gjë e kemi diskutuar edhe me z.Zaev por gjithashtu edhe me mandatarin e ri. Gjithashtu për kryeministrin shqiptar në 100 ditëshin e fundit është pajtuar edhe z.Mickoski në takimin mes tij dhe kryetarit Ahmeti”, ka thënë Grubi në Click Plus.

Pas kësaj deklarate, ka reaguar VMRO-ja e Mickoskit e cila nuk e demanton që është pajtuar me Kryeministrin Shqiptar.

“Do të ishte mirë që Artan Grubi të dilte dhe të thoshte se BDI i pranoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare vitin e ardhshëm.

Për dallim nga LSDM/BDI, ne nuk do të biem në grackën e tezave dhe romantizmave nacionaliste që përdorin për të mbuluar krimin që ndodh në prapavijë.

Duke pasur parasysh kapacitetin modest të Artan Grubit dhe politikën e tij për të mbjellë urrejtje, përçarje dhe nacionalizëm, nuk presim një qasje të ndryshme nga politikat që kemi parë” thuhet në reagimin e VMRO-së.