Spektakël, emocione në Bergamo në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, e cila u shty mbrëmjen e djeshme për shkak të dëborës. Atalanta pësoi një humbje 2-3 në shtëpi ndaj Villareal, duke i dhënë spanjollëve biletën e fundit për në fazën tjetër. Nëndetësja e verdhë e nisi mjaft mirë ndeshjen duke kaluar në avantazh që në minutën e 3-të me Danjuman që përfitoi nga një gabim i Demiral. Skuadra spanjolle do të dyfishonte shifrat me Capoue, ndërkohë që në fillimin e fraksionit të dytë do të ishte Danjuma që do të realizonte dhe golin e tretë.

Gasperini ndërhyri duke hedhur në fushë disa lojtarë të tjerë, mes tyre dhe Gjimshitin, duke i dhënë një tjetër ritëm ndeshjes. Malinovskiy do të realizonte golin e parë, ndërkohë që Zapata rindezi shpresat për vendasit. Minutat e fundit ishin një spektakël më vete me Atalantën që shpërdoroi një mori rastesh. Fati ishte me Villareal që mori një fitore në Bergamo që vlen kualifikimin në 16 më të mirat e Championsit.