(VIDEO) Alternativa në Qeveri, do të kërkohet hetim ndërkombëtar për rastet e montuara

Përveç marrëveshjes për resorët, kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Alternativës Afrim Gashi firmosën edhe parimet e bashkëqeverisjes, që përmbajnë 9 pika prioritete të kërkuara nga Alternativa. Një prej pikave më të theksuara nga partia e Gashit është përpjekja për hetim ndërkombëtar për rastet gjyqësore për të cilat ka dyshime në opinion.


 “Qeveria do t’i dërgojë kërkesë zyrtare Komisionit Evropian në të cilën do të kërkojë ekip ekspertësh të pavarur, të cilët do të kryejnë hetim ndërkombëtar në proceset e dyshuara për ndikim politik, siç janë: Monstra, Alfa, Lagjja e Trimave, Almiri i vogël”.

Një tjetër prioritet i Alternativës, i inkorporuar në programin qeveritar, është mbështetja për familjen si komponent thelbësor në shoqëri.

“Qeveria do të zhvillojë dhe zbatojë politika për promovimin e të drejtave dhe interesave të të gjithë individëve dhe komuniteteve në vend, ndërsa në veçanti do të japë mbështetje për familjen si një nga komponentët thelbësorë të jetës shoqërore”.

Sa i përket pjesës ekonomike, marrëveshja përmban garanci se çmimi i energjisë elektrike nuk do të shtrenjtohet më shumë se 20% gjatë vitit të ardhshëm, duke marrë parasysh krizën e paralajmëruar energjetike.

  “Qeveria do të mbetet në qëndrimin për mbrojtjen ekonomike të popullatës dhe nuk do të lejojë ngritje të çmimit të energjisë elektrike më shumë se 20% gjatë vitit 2022, duke subvencionuar qytetarët dhe kompanitë dhe duke miratuar masa të tjera ekonomike”.

Marrëveshja përmban gjithashtu pikat për Ligj të ri për zhvillim të barabartë rajonal, në veçanti të rajonit të Likovës, luftimin e krimit dhe korrupsionit, Ligj të ri për përmbaruesit, rritjen e cilësisë së arsimit, dhe të tjera.