Skandal në Gostivar: Një 37-vjeçar nga Koçani u paraqit si hoxhë, përdhunoi një 11-vjeçare dhe mashtroi persona të tjerë!

Prokuroria Publike Themelore në Gostivar ka dhënë urdhër për realizim të procedurës hetuese kundër një personi për kryerjen e veprës penale në vazhdimësi – përdhunim ndaj një vajze e cila nuk ka mbushur 14 vjeç.


Kundër të njëjtit person dhe kundër dy personave të tjerë, bashkëpunëtorë të tij, siç qëndron në kumtesën e PPTH-së, është ngritur procedurë edhe për veprën penale – mashtrim.

“I dyshuari i parë, mashkull i moshës 37-vjeçare nga Koçani, në dy raste, më 23 dhe 24 nëntor në një banesë në Gostivar, ka përdhunuar një fëmijë të lindur në vitin 2012. Nëna e vajzës e ka ftuar të dyshuarin i cili është paraqitur si hoxhë që të këndojë dhe të “mjekojë” fëmijën nga magjitë. I dyshuari ka kërkuar që të qëndrojë vetë në dhomë me fëmijën – viktimën dhe më pas e ka detyruar që të kryejë aktin. Kur më 5 dhjetor nëna ka tentuar ta thërras për herë të tretë të dyshuarin, vajza e shqetësuar ka treguar se çfarë ka ndodhur, pas çfarë ngjarja është denoncuar në polici”, njoftojnë nga PPTh-ja, transmeton TV21.

I dyshuari i njëjtë, bashkë me dy bashkëkryerës të tjerë nga Gostivari, kanë mashtruar një të dëmtuare tjetër. I denoncuari i parë, me marrëveshje me dy të tjerë, të dëmtuarës gjithashtu i janë paraqitur si hoxhë i cili do t’i ndihmojë t’i largojë magjitë nga shtëpia e saj. Në shumë raste, që të tre e kanë bindur që t’i largojë magjitë nga shtëpia, duhet të blejë mjete të ndryshme nga varrezat.

Për shërbimin, siç qëndron më tej në kumtesë, e dëmtuara ka paguar 98.000 denarë.

Kur kanë filluar të merren vesh për takim të ri, e dëmtuara ka dyshuar se është mashtrim dhe i ka denoncuar.

Për të dyshuarin e parë, 37-vjeçarin nga Koçani, prokurori ka parashtruar kërkesë për parashtrim të masës së paraburgimit, ndërkaq për dy personat e tjerë, bashkëpunëtorë të tij janë parashtruar masa të kujdesit.