Shpëtoi fqinjin nga flakët, emigranti hero shqiptar ndërron jetë në Suedi

Ju kujtohet historia e tij– Kelman Qibini, shqiptari që u bë i njohur në Suedi pasi i shpëtoi jetën fqinjit të tij nga zjarri i rënë në banesë, ka ndërruar jetë. Emigranti nga Tepelena vuante nga një sëmundje e rëndë.

I ndjeri arriti të shpëtonte fqinjin e tij në fshatin Alby të Suedisë dy vite më parë, ku një zjarr ra në një bllok banesash. Ai arriti të nxirrte nga zjarri fqinjin e tij, i cili edhe pse mori plagë të rënda nga zjarri, mundi të mbijetonte.

“Dëgjova nga jashtë që ai po bërtiste dhe hyra brenda flakëve. Nëse nuk do të ndërhyja dhe personi do të kishte vdekur, do ishte shumë e vështirë të jetoja me këtë mendim. Ka qenë e vështirë të flemë sonte. Jam akoma i mërzitur nga ajo që ndodhi.Unë ndoshta kam bërë atë që shumica e njerëzve do të kishin bërë në këtë situatë. Dhe ne ishim shumë fqinj që i ndihmuam”, shprehej në atë kohë Kelman Qibini.

Ai u shpall nga mediat suedeze si hero për aktin human që kreu.