Shkencëtarët po zhvillojnë vaksinën kundër plakjes

Shkencëtarët japonezë kanë njoftuar se janë duke zhvilluar në fazë eksperimentale një vaksinë që eliminon qelizat e plakura në trup.

Ekipi hulumtues tha se kjo vaksinë eliminon të ashtuquajturat qeliza zombie që grumbullohen me kalimin e moshës dhe dëmtojnë qelizat afër tyre që janë në gjendje të mirë. Sipas shkencëtarëve është pikërisht kjo një ndër arsyet kryesore pse shtohet sëmundshmëria me kalimin e moshës.

Shkencëtarët janë shpresëplotë se me kalimin e viteve, teksa të ndërtohen kapacitetet e plota për këtë ilaç të ri, ngurtësimi i arterieve që ndodh me kalimin e moshës, që sjell edhe vdekje prej sëmundjeve të zemrës, do të jetë diçka e së shkuarës.

Ekipi konfirmoi me fakte në publikimet shkencore se minjtë që kishin marrë këtë vaksinë treguan ulje të qelizave zombie.

“Mund të presim që (vaksina) të aplikohet në trajtimin e ngurtësimit të arterieve, diabetit dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me plakjen,” tha Toru Minamino nga Universitetit Juntendo në Japoni.

Ekipi identifikoi një proteinë në qelizat e moshuara te njerëzit dhe minjtë dhe krijoi një vaksinë bazuar në një aminoacid që përbën këtë proteinë. Vaksina i mundëson trupit të krijojë antitrupa për t’i mundur qelizat e vdekura dhe të dëmshme, raporton oranews.

Kur ekipi e provoi vaksinën te minjtë që vuanin nga ngurtësimi arterial, pati përmirësim të gjendjes. Ndërsa te minjtë më të moshuar u pa se plakja ishte më e ngadaltë se te ata të pavaksinuar.

Shumë nga barnat ekzistuese për heqjen e qelizave të plakura përdoren si agjentë kundër kancerit dhe mund të shkaktojnë efekte anësore negative.

Efektet anësore nga vaksina e re, sipas shkencëtarëve japonezë, ishin më të pakta, ndërsa efikasiteti i saj zgjati më shumë, tha ekipi. Rezultatet e hulumtimit të ekipit u publikuan në versionin online të revistës Nature Aging.