Sëmundjet koronare të zemrës, si parandalohen

Njohja e 12 faktorëve që shtojnë rrezikun për sëmundje koronare. Rastet kur duhet të shqetësoheni nga dhimbjet e papritura shtrënguese në kraharor (Angina Pektoris). Këshillat për aktivitetin fizik, sjelljet e rrezikshme dhe ndjekjen e një regjimi ushqimor që e mbron zemrën nga sëmundjet


Karakteristikat individuale dhe mënyra e jetesës shtojnë rrezikshmërinë për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare. Ndër më shqetësuese raportohen sëmundjet koronare që shkaktohen nga dëmtimet si pasojë e mosfurnizmit të muskulit të zemrës me oksigjen, si dhe sëmundjet cerebrovaskulare që shkaktohen nga mosfurnizimi i trurit me gjak.

Sipas ekspertëve të shëndetit publik, sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në vendin tonë, dhe si pasojë e ndryshimeve moshore, si dhe e mënyrës së jetesës shfaqin tendenca alarmuese në drejtim të shtimit të rasteve të reja çdo vit.

Neglizhimi i tyre në pjesën dërrmuese të rasteve përfundon me pasoja të rënda për organizmin duke çuar deri në humbje të jetës. Duke u ndalur te kjo problematikë, ekspertët e shëndetit publik vënë në dukje se sëmundjet kardiovaskulare përfshijnë një rang të gjerë problemesh shëndetësore nga natyra dhe shkaqe të ndryshme, duke bërë që më të shpeshtat të jenë sëmundjet që kanë në bazë të tyre dëmtimin e furnizimit me oksigjen të muskulit të zemrës dhe të trurit, të cilat klasifikohen si sëmundjet e koronareve dhe sëmundjet cerebrovaskulare.

Paraqitjet klinike të sëmundjeve të koronareve që kanë të bëjnë me dëmtimin të furnizimit me oksigjen të muskulit të zemrës, shfaqen në forma të ndryshme. Aty dominojnë: “angina pektoris, infarkti i miokardit, si dhe vdekjet e papritura”. Ndërsa paraqitjet klinike të dëmtimit të furnizimit të trurit me gjak si pasojë e bllokimit të arterieve që ushqejnë, shfaqen në formën e paralizave të natyrave dhe përmasave të ndryshme. Në vijim të shkrimit gjenden të detajuar këshillat se si duhet të veproni për të reduktuar rrezikun nga këto sëmundje, veçanërisht atë që njihet si angina pektoris.

Dhimbjet shtrënguese në kraharor, kur duhet të shqetësohemi
Prej këtyre shfaqjeve klinike problemi më i shpeshtë që haset në shërbimin e kujdesit parësor është “angina pektoris”, e cila është një dhimbje gjoksi që ndodh kur muskuli i zemrës nuk merr mjaftueshëm gjak. Sëmundja ndihet si një dhimbje shtrënguese në kraharor. Dhimbja mund të përhapet edhe në shpatulla, krahë, qafë, grykë, ose në shpinë. Shumë njerëz me “angina pektoris” kanë sëmundje të arterieve koronare, apo edhe ngushtim të arterieve si rrjedhojë e arteriosklerozës.

Kur arteriet janë ngushtuar, rrjedhja e gjakut për në zemër reduktohet. Dy janë format kryesore të anginës, të cilat klasifikohen si forma e qëndrueshme dhe forma e paqëndrueshme. E para ka të bëjë me dhimbjen e gjoksit, apo shqetësimin i cili ndodh kur zemra është duke punuar më shumë se zakonisht. Dhimbja e anginës së qëndrueshme kalon kur personi qëndron, qetësohet apo merr medikamentin për trajtimin e anginës.

Ilaçet e anginës siç janë nitritet ndihmojnë në zgjerimin dhe qetësimin e arterieve. Në këtë mënyrë mund të shkojë më shumë gjak për në zemër. Ndërsa angina e paqëndrueshme është një gjendje shumë e rrezikshme, e cila kërkon një trajtim urgjent. Kjo pasi në këto raste sëmundja paralajmëron një shenjë se infarkti i miokardit mund të ndodhë shpejt. Shpesh ky komplikacion ndodh edhe pse nuk shtohet aktiviteti fizik. Kjo anginë nuk lehtësohet nga të qëndruarit në qetësi, ose nga mjekimi.

Diagnostikimi
Diagnostikimi i anginës bazohet në një sërë treguesish që kanë të bëjnë me karakteristikat personale të pacientit, atyre familjare, ekzaminimit fizik dhe rezultatet e testimeve që rrjedhin nga testet e kryera veçanërisht EKG-së. Kur ilaçet dhe ndryshimi i stilit të jetesës nuk e kontrollojnë dot anginën, atëherë nevojiten procedura të posaçme për trajtimin e saj. Anginoplastika dhe baypassi i arterieve koronare janë dy procedurat më të zakonshme që përdoren për trajtimin e anginës.

Faktorët që nuk duhen neglizhuar
Faktorët e riskut ndahen në dy grupe. Në grupin e parë përfshihen faktorët madhorë, të cilët nëse nuk mbahen nën kontroll paralajmërojnë rreziqe të mëdha shëndetësore për pacientin. Në këtë grup faktorësh përfshihen: “Diabeti, duhanpirja, hipertensioni, hiperkolesterolemia, obeziteti, si dhe ecuria familjare me sëmundje të zemrës”. Ndërsa te grupi i dytë që njihen si faktorë minorë bëjnë pjesë: “Gjinia, faktorët hormonalë, femrat pas menopauzës, faktorët psiko-socialë, veçanërisht kontrolli i gabuar ndaj stresit dhe depresionit, jeta sedentare, konsumi i shtuar i alkoolit, si dhe pulsi i lartë në qetësi (nëse kalon më tepër se 75 në minutë)”.

Masat që ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve koronare
Ekspertët e shëndetit publik sqarojnë se sëmundjet koronare mund të parandalohen krejtësisht, ose mund të kontrollohen duke shmangur një numër të madh vdekjesh të parakohshme. Efektet më të mëdha dhe më afatgjata lidhur me parandalimin do t’i jepnin masat për sigurimin e një jetese të shëndetshme duke shmangur ekspozimin ndaj faktorëve risk (ushqyerje e mirë, mospirje duhani, aktivitet fizik etj). Gjithsesi një kontribut të rëndësishëm në uljen, ose mbajtjen nën kontroll të rasteve me sëmundje kardiovaskulare ka edhe trajtimi i hershëm i faktorëve risk.

Faktorët madhorë të uljes së këtyre sëmundjeve janë ndryshimi i mënyrës së jetesës, duke synuar drejt dietës ushqimore të pasur me fruta perime, më pak yndyra shtazore e kalori, si dhe përmirësim të kulturës shëndetësore që ndihmon në zbulimin e hershëm të sëmundjes, kohë në të cilën dhe kurat trajtuese janë të efektshme. Këshillohen të gjithë pacientët që kanë probleme me sëmundjet kardiovaskulare, që të paralajmërojnë familjarët e tyre të afërt lidhur me riskun dhe t’i këshillojnë ata për një vizitë kontrolli te mjeku pasi në shumë raste këto sëmundje janë edhe të trashëgueshme.

Ushqyerja, kur konsiderohet e shëndetshme!?
Ushqyerja e shëndetshme është një strategji e modifikimit të jetesës që jep efektet e saj në shumë drejtime. Kështu, duke përdorur më shumë një dietë të shëndetshme, mund të kontrollojmë diabetin, kolestoreleminë, tensionin arterial, si dhe obezitetin, ose mbipeshën. Parimet dhe këshillat që duhet të ndiqen për të mbajtur larg këto komplikacione të zemrës janë nga më të ndryshmet. Një parim shumë i rëndësishëm i dietës së shëndetshme është konsumi i një varieteti sa më të madh ushqimesh në sasi të përshtatshme, në të kundërt të konsumit të vetëm disa ushqimeve në mënyrë të përditshme, pasi kjo shkakton probleme. Gjithashtu, dieta duhet të sigurojë një sasi të mjaftueshme të kalorive dhe të ushqimeve bazë, si: proteina, karbohidrate, yndyra, vitamina dhe minerale për aktivitet normal të organizmit. Dieta duhet të sigurojë një marrje të kufizuar të kolesterolit ditor dhe yndyrave, sidomos atyre të ngopura, (kolesteroli nën 300 mg, yndyrat nën 10 % të kalorive ditore, si dhe yndyrat totale nën 30 për qind të kalorive ditore).

Dieta ushqimore duhet të sigurojë një konsum minimal të sheqerit industrial që dëmton balancën e glukozës në gjak dhe mund të ndikojë në rritjen e triglicerideve. Dieta duhet të sigurojë edhe një sasi të mjaftueshme të antioksidantëve, apo vitaminave që kundërshtojnë efektet e plakjes dhe radikalet e lira.

Gjithashtu edhe ushtrimet fizike mendohet se ndikojnë në uljen e rrezikut për sëmundje koronare, pasi në këtë formë mbajnë nën kontroll tensionin, obezitetin dhe mbajnë në balancat e duhura trigliceridet. Megjithatë, lidhur me llojin e aktivitetit fizik që pacienti duhet të ndjekë, vendos mjeku, pasi jo të gjithë mund t’u drejtohen llojeve të njëjta të ushtrimeve fizike. Ushtrimet e bëra në mënyrë të pakontrolluar mund të bëhen edhe të dëmshme.

Këshillat mbi mënyrën e jetesës janë:
• Lënia e duhanit.
• Kontrolli i peshës trupore në mënyrë që të shmanget mbipesha.
• Shtim të ushtrimeve fizike (në varësi të rekomandimeve të dhëna nga mjeku).
• Konsum të ulur të natriumit (nën 6 gram kripë gjelle gjatë ditës).
• Konsum të moderuar të alkoolit.
• Shtimi i kaliumit në dietën ushqimore (sigurohet nga bananet dhe kumbullat).
• Dietë me shumë fruta-perime, drithëra dhe pak yndyra.
• Përdorimi sa më i ulët i sheqernave industriale.

Faktorët që shtojnë rrezikun e sëmundjeve koronare
1. Duhanpirja.
2. Diabeti.
3. Mbipesha.
4. Hipertensioni.
5. Trashëgimia.
6. Niveli i lartë i yndyrave në gjak.
7. Niveli i lartë i stresit.
8. Jeta sedentare.
9. Mungesa e aktivitetit fizik.
10. Kequshqyerja.
11. Konsumi i lartë i alkoolit.
12. Pulsi i lartë në kushte qetësie.

Dieta e shëndetshme përfshin konsumin e një varieteti sa më të madh ushqimesh, në sasi të përshtatshme. Këshillohet që të merrni një sasi të mjaftueshme të kalorive dhe të ushqimeve bazë, si: proteina, karbohidrate, yndyra, vitamina dhe minerale për aktivitet normal të organizmit. Nëpërmjet dietës duhet të siguroni një marrje të kufizuar të kolesterolit ditor dhe yndyrave, sidomos atyre të ngopura, (kolesteroli nën 300 mg, yndyrat nën 10 për qind të kalorive ditore, si dhe yndyrat totale nën 30 për qind të kalorive ditore). Gjithashtu duhet të jeni të kujdesshëm për një konsum minimal të sheqerit industrial që dëmton balancën e glukozës në gjak dhe mund të ndikojë në rritjen e triglicerideve. Duhet të merrni edhe një sasi të mjaftueshme të antioksidantëve, apo vitaminave që kundërshtojnë efektet e plakjes dhe radikalet e lira.