Mohamed Salah dha një intervistë për rrjetin egjiptian MBC Masr Tv, në të cilën sulmuesi i Liverpoolit foli për situatën e rinovimit dhe i përgjigjet interesimit të Barcelonës.

“E kam thënë disa herë, nëse vendimi është në dorën time, dua të qëndroj tek Liverpooli, por vendimi është në duart e drejtuesve dhe ata duhet ta zgjidhin këtë çështje. Është në dorën e tyre. Aspekti financiar tregon se sa shumë ju vlerësojnë dhe se janë të gatshëm të bëjnë për t’ju bërë të qëndroni, por vendimi nuk bazohet vetëm në çështjet financiare.”

Sulmuesi egjiptian prej disa muajsh është në negociata me Liverpoolin për rinovimin e kontratës. Megjithatë, palët nuk po bien dakord dhe kjo ka bërë që të spekulohet për një largim të mundshëm të “Faraonit”. Flitet edhe për interesimin e Barcelonës.

“Është diçka që më gëzon që një ekip si Barcelona është i interesuar për mua, por unë jam i lumtur te Liverpooli. Të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Për momentin, preferoj të qëndroj në Premier League, pasi është liga më e fortë në botë”.

Përveç Barcelonës, edhe PSG ka shfaqur interesimin për Salah. Klubi francez e sheh egjiptianin si zëvendësuesin ideal për Mbappénë, nëse sulmuesi francez përfundon te Reali verën e ardhshme.