Formimi i qeverisë së re me ministrat e Alternativës do të ndodh nga fundi i dhjetorit apo më së voni nga mesi i janarit, pas përmbylljes së samitit të BE-së kur pritet të vijojë dorëheqja e kryeministrit Zaev. Njoftimi vjen nga nënkryetari i Alternativës, Lulzim Aliu, në “Argument” në TVM2. Aliu i bindur në qëndrueshmërinë e qeverisë edhe përkundër reagimeve të opozitës për një jetëgjatësi të shkurtër. Ai thotë se as reagimet e partnerëve të brendshëm s’do luhatin përkushtimin e ministrave të Alternativës në përmbushjen e marrëveshjes 9 pikëshe.

“Unë nuk besoj se do të prishin punë, por s’mund të qëndrosh indiferent. Eksponentët tanë në ekzekutiv dhe në pozita që do të emërohen do të arrijnë që t’i argumentojnë, t’i arsyetojnë dhe t’i bindin edhe të tjerët se janë të nevojshme, se këto nuk janë vetëm me interes për zonën e Likovës edhe për banorët shqiptarë, por janë me interes për të gjithë qytetarët, eurointegrimi i vendit në BE është me interes për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.”,- deklaroi nënkryetari i Alternativës, Lulzim Aliu.

Marrëveshja Zaev – Gashi, Aliu: Kërkojmë largimin e politikës nga gjyqësori

Marrëveshja përfshin edhe zhvillimin e barabartë rajonal, arsimin, luftën kundër korrupsionit, krizën energjetike si dhe hetim ndërkombëtar për raste të caktuara gjyqësore, përfshirë edhe “Monstrën”. Por, Aliu përgënjeshtron akuzat për ndërhyrje në gjyqësor.

“Kërkojmë një trup të jashtëm apo një organ të jashtëm, një organ hetues nga jashtë për të qenë sa më objektiv, për të qenë sa më të realët, sa më të drejtë, kuptohet ne nuk bëjmë as presion tek prokuroria, as te gjykatat as te sistemi i drejtësisë.”,- u shpreh nënkryetari i Alternativës, Lulzim Aliu.

Aliu: ASh shkeli e para marrëveshjen

Alternativa edhe përkundër përfshirjes në qeveri shprehet e hapur për bashkëpunim me bllokun opozitar në nivel lokal, duke akuzuar Aleancën për Shqiptarët se të parët shkelën marrëveshjen që kishin.

“Ato kanë bërë përsëri një koalicionim me Lëvizjen Besa edhe me VMRO–në në Tetovë, me Lëvizjen Besa dhe me VMRO-në edhe në Bërvenicë, edhe tani unë nuk e kuptoj se pse duhet të jenë të befasuar në qoftë se ne si subjekt politik që kemi autonominë tonë edhe në veprim, duhet të konsultohemi ose të pyesim.”,- u shpreh nënkryetari i Alternativës, Lulzim Aliu.

Nënkryetari i Alternativës nuk zbulon emrat e ministrave që do të udhëheqin resorin e shëndetësisë, shoqërisë informatike dhe ministrinë pa resor. Këtë do të vendosë kryesia e partisë.