Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis do të realizojë sot performancën artistike dhe marshin “BOLL MA – Asnjë grua e vajzë më pak, asnjë vdekje më shumë”, si formë proteste ndaj abuzimit dhe dhunës ndaj grave.

Sipas njoftimit, protesta do të zhvillohet në ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”.

“Të indinjuara nga abuzimi sistematik i vajzave dhe grave dhe vdekjeve të tyre si pasojë e kësaj dhune, mungesës së përgjigjes së duhur institucionale në parandalimin dhe ndarjen e dënimeve të merituara për kryerësit e këtyre veprave, Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet do të realizojë performancën artistike dhe marshin “BOLL MA – Asnjë grua e vajzë më pak, asnjë vdekje më shumë”.

Më 5 dhjetor 2021, në ora 12:00-13:00, në platonë e sheshit “Zahir Pajaziti”, ju ftojmë të na bashkoheni në protestën tonë përmes performancës artistike ASNJË VAJZË E GRUA MË PAK NË MESIN TONË, ASNJË VDEKJE MË SHUMË TË VAJZAVE DHE GRAVE TONA”, thuhet në njoftim.