“Politikanët shqiptarë që ua ngulën thikën pas shpine shqiptarëve”

Nedai Shaholli

Tri dekada pas ndryshimit të sistemit nga ‘socializmi’ në ‘kapitalizëm’, (demokracinë liberale )partitë politike shqiptare në ‘Severnën’ tonë të dashur që janë formuar pas ndryshimit të atij sistemi, kanë goditur vazhdimisht pas kurrizit Iliridën dhe interesat kombëtare në garën e çuditshme për t’u bërë secila më luajale dhe më e besueshme se tjetra në goditjen e interesave kombëtare para pushtetit.
Kështu, goditjen e parë nga subjektet politike shqiptarët e morën qysh më 1991, me rastin e miratimit të kushtetutës së parë ‘demokratike’, ku emërtimi i vjetër i ‘pakicës shqiptare’ u fshi nga faqet e asaj kushtetute që u proklamua si ‘demokratike’.
Kësisoj, jo vetëm që partitë shqiptare nuk e kundërshtuan miratimin e asaj kushtetute raciste që nuk njihte tjetër gjuhë dhe komb në përbërje të saj por, përkundrazi disa deputetë shqiptarë do të ngrejnë dolli me me ish presidentin titist Gligorov, me rastin e miratimit të kushtetutës së re ‘demokratike’.
Goditjet e radhës kanë vijuar me ekspeditat policore kundër shqiptarëve siç janë: Bit Pazari, Ladorishti, UT-ja, Gostivari, Brodeci, Sopoti, Monstra, Kumanova…që fatkeqësisht ka ndodhur me pjesëmarrjen në qeveritë e koalicionit me nga një a më shumë parti shqiptare në këto qeveri antishqiptare.
Me këtë logjikë të mosdurimit dhe të mospranimit të zhvillimit të kulturës dhe identitetit shqiptar në përpjekjet e shqiptarëve për themelimin e UT është shprehur në atë kohë edhe Abdurrahman Aliti, ish kryetar i PPD-së, se atij nuk i duhej fakulteti pasi për vete ai e kish kryer.
Një tjetër fushatë policore antishqiptare kundër ‘ekstremistëve shqiptarë’ ishte dhe Brodeci, ku pas torturimeve dhe burgosjeve të ‘elementëve ekstremist’ sipas policisë aksioni u quajt i suksesshëm nga ana e zëvendësministrit shqiptar të punëve të brendshme.
Gjëma e radhës do të pasojë me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, ku thika pas kurrizit do t’i ngulen shqiptarëve me këto ndryshime, me të cilën nofka e 20% do të çimentoset në ato ndryshime me vullnetin politik të partive politike shqiptare si parti që nuk përfaqësojnë shqiptarët dhe as vullnetin politik të popullit shqiptar të Iliridës.
Subjektet tona politike kanë qëndruar dhe po qëndrojnë si kolonë e pestë e tradhtisë së interesave kombëtare në këto tri dekada të ekzistimit të tyre.
Ndaj, shqiptarët duhet të zgjohen nga gjumi letargjik i dimrit të gjatë duke i refuzuar këto partiçka që nuk përfaqësojnë interesin kombëtar por interesin e tyre në qeveritë e koalicionit.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për këto partiçka që kanë dhënë prova të tradhtisë së lart kombëtare dhe duhet të zgjedhin në mesin e popullit atdhetarë të dëshmuar të kauzës kombëtare për të çarë përpara kauzën tonë sepse nesër mund të jetë shumë vonë.