Nuredini realizoi takim me kryetarët e rajonit planor Jugperëndimor dhe të Pellagonisë

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini sot realizoi takim me kryetarët e rajonit planor Jugperëndimor dhe të Pellagonisë, me qëllim të ndarjes së aktiviteteve të ardhshme për vendosjen e sistemit për menaxhim me mbeturinat për këto rajone.


“Qëllimi ishte jo vetëm t’i informoj për statusin e projektit për të cilin pas studimit të përpunuar nga BERZH është marrë përgjigje pozitive për kërkesën e Qeverisë për fillimin e procedurës për marrjen e kredisë për ndërtimin e sistemit, por edhe t’i dëgjoj mendimet e tyre, të siguroj mbështetje për procesin dhe mobilizimin e resurseve në dispozicion për shkak të efikasitetit më të madh në implementim”, informoi ministri Nuredini përmes rrjetit social Fejsbuk.

Kryetarët e komunave, siç shkroi ai, kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim, duke e pasur parasysh se zgjidhja e problemit me menaxhimin me mbeturinat është vendosur lartë në agjendat e tyre.