Çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël nga 1 janari do të rritet. Kjo rritje do të jetë deri në 10% dhe jo më e lartë, bën të ditur ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Ai mohon se do të ketë restrikcione apo ndërprerje të energjisë elektrike siç flitet në opinion.Shpallja e gjendjes së krizës ka qenë me të vetmin qëllim që të injektohen mjete në kapacitetet energjetike të vendit shtoi ai.

“Çmimi final për amvisëritë dhe për konsumatorët mikro, nga një janari deri kah mesi i vitit të ardhshëm, kur edhe duhet të sillet vendim i ri, nuk do të jetë më shumë se 10%, e cila përkon me të gjitha analizat, projeksionet edhe nga ekspertë të ndryshëm edhe nga parti të ndryshme të cilat projeksionet e tyre i kishin mbi 30,40 e 50%”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Edhe ministri i Financave Fatmir Besimi thotë se ofertën që EMV (Elektranat e Maqedonisë së Veriut) duhet ta japë ndaj furnizuesit universal do të jetë në nivel që nuk do të shkaktojë ndonjë rritje të madhe të çmimit për energji elektrike, por pa konkretizuar se sa do të jetë.

“Në lidhje me çmimin e energjisë elektrike ia kemi dhënë EMV-së gati katër miliardë dhe shtesë sipas vendimit që është në Kuvend edhe 93 milionë, që është thuajse 5 miliardë denarë për EMV për sigurim të resurseve për prodhimin e energjisë elektrike ose furnizim me energjinë elektrike për tregun e rregulluar”, theksoi Fatmir Besimi, ministër i Financave.

Për inflacionin Besimi tha se trendi i rritjes së çmimeve në tregun botëror dhe atë vendas nuk pritet të vazhdojë nga gjysma e dytë e vitit të ardhshëm. E sa i përket ngrirjes së çmimeve të prodhimeve ushqimore bazë, sipas Besimit, kjo duhet të shikohet si masë kohore, ndërsa në lidhje me propozimet për ngrirjen e marzhës, tha se në varësi të nevojave që do të paraqiten, ashtu do të ndërmerren masat.