Nesër mbahet “Samiti për Demokraci” i organizuar nga Biden, pjesëmarrëse edhe Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nesër do të marrë pjesë në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë në Washington.


Ajo ftesën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e kishte pranuar më 9 nëntor.

Osmani me anë të një postimi në rrjetin social Facebook pati thënë se është e nderuar për të pranuar këtë ftesë nga Biden.

“Falënderoj Presidentin Biden për ftesën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë si dhe vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetarë ta përmbush potencialin e vet”.

“Jam e lumtur që në emër të Republikës së Kosovës do t`i prezantoj të arriturat dhe sfidat që i kemi, si dhe do të angazhohemi bashkërisht që gjatë 12- muajve të ardhshëm ta zbatojmë një plan ambicioz për fuqizimin e mëtejmë të demokracisë sonë të re në mënyrë që qytetarët tanë t`i ndjejnë përfitimet e një udhëheqjeje demokratike të bazuar në sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe gjithëpërfshirje shoqërore”, ka thënë Osmani.

Samiti do të zgjas për dy ditë dhe do të marrin pjesë 111 shtete të botës, njofton Klankosova.tv.