Ndërpritet transporti publik në Tetovë!

Transporti publik në qytetin e Tetovës është ndërprerë përkohësisht. Me një komunikatë për media nga komuna e Tetovës njoftuan se kanë ndërprerë transportin pas emërimit të drejtorit të ri Rafis Mejdija .

“Për shkak të kaosit, mungesës së sigurimit të punësuarve, shkaku se ndërmarrja nuk është e regjistruar dhe të punësuarit e ndërmarrjes NP “Tetova Transport” figurojnë si të punësuar në komunë, si dhe për shkak të parregullsive të shumta, ndërpritet përkohësisht transporti publik. Duke pasur parasysh që të mos dëmtohet edhe më shumë xhepi i qytetarëve për shpenzimet e pakontrolluara, kjo gjendje do të zgjatë deri sa të përfundojë skenimi final i gjendjes së krijuar në këtë ndërmarrje nga strukturat e mëparshme udhëheqëse”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Anketuam edhe qytetarë. Ata thonë se transport duhet të ketë.

“Duhet të ketë, Por zoti e di. Komuna i ka të gjithë. Ne për ata kemi votuar edhe ata le të përgjigjen.”

“ Duhet të ketë autobus, si nuk duhet”

“Mirë e ka bërë nuk ka vend në qytet edhe nëse duan nuk kanë ku të lëvizin. E shikon çka është edhe po të duan nuk mund të lëvizin.”

Por, sa i kanë kushtuar komunës së Tetovës këta autobus? Pesë autobusët janë blerë me një kredi të Bankës Botërore për investim. Komuna Tetovës ka marr një kredi prej 1.2 milion euro, ndërsa vlera e autobusëve është 720 mijë eurosh. Komuna e Tetovës ka një grejs periudhë deri në fund të vitit 2022 edhe më pas parat e njëjta do të duhet t’i kthejë. Nëse kjo ndërmarrje nuk sjell përfitime deri në fund të vitit 2022, komuna e Tetovës do futet akoma me shume në borxhe.