Moti sot do të jetë i ndryshueshëm, me vranësira dhe me reshje lokale të shiut, kryesisht në pjesët perëndimore dhe lindore të vendit. Në male, reshjet do të jenë me borë. Në lindje, vende-vende priten reshje të shkurta dhe të rrëmbyeshme të shiut, të shoqëruara me bubullima. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi jugor.
Siç informojnë nga DPHM, temperatura minimale do të jetë në interval prej 2 deri 7, ndërsa maksimalja do të arrijë prej 6 deri 14 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë i ndryshueshëm, me vranësira dhe me erë të dobët deri mesatare jugore. Temperatura minimale do të zbresë deri 4 ndërsa maksimalja do të arrijë 10 gradë.
Në ditët në vijim, nën ndikimin e valës së re të lagësht, të shtunën gjatë tërë ditës do të ketë reshje më të rrëmbyeshme dhe në disa vende do të ketë mbi 25 l/m2 shtresë uji. Në pjesët perëndimore, në male dhe në viset më të larta, reshjet do të jenë me borë dhe do të formohet shtresë e konsiderueshme bore.
Të dielën do të ketë reshje të dobëta të borës, ndërsa nga e hëna pason periudha e motit me vranësira mesatare deri të konsiderueshme dhe më i ftohtë, me erë të matur deri të përforcuar veriore.