Dyshoj dhe jam i brengosur se kryeministri në largim është i gatshëm të nënshkruaj marrëveshje të re me Bullgarinë e cila do të thotë asimilim dhe goditje e drejtpërdrejtë e identitetit të popullit maqedonas, deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski gjatë vizitës së sotme në Prilep.

Informacionet të cilat jemi duke i marrë, theksoi ai, janë alarmante.

“Zoran Zaev në largim është i gatshëm të nënshkruaj marrëveshje të re edhe pse na ka bindur se i ka zgjidhur të gjitha, se i ka zgjidhur të gjitha çështjet e hapura me fqinjët tanë në të cilat pjesërisht ose plotësisht do ta pranojë Rezolutën e miratuar nga Parlamenti bullgar nga nëntori 2019, nëse nuk gaboj. Kjo paraqet asimilim komplet të popullit maqedonas dhe goditje të drejtpërdrejtë mbi identitetin. Pasi është në largim, jam i brengosur se mund ta bëjë këtë hap ndërsa pasojat t’i paguajmë të gjithë ne. Duke i pasur parasysh gjendjet e tij në Qeveri dhe koalicionin me BDI-në, ose më saktë me Ali Ahmetin dhe Artan Grubin, dyshoj dhe jam i shqetësuar se këto informacione janë të vërteta dhe se kjo mund të ndodhë”, deklaroi Mickoski.

Prandaj, shtoi, mesazhi im për qeverinë e re tek fqinji ynë lindor dhe deri tek presidenti Radev ishte se këtë marrëveshje të njëanshme të qeverisë e cila është pa kredibilitet, pasi kishte pësuar disfatë në zgjedhjet lokale, si VMRO-DPMNE nuk e kemi për qëllim ta respektojmë, pasi kjo do të thotë goditje e drejtpërdrejtë mbi identitetin e popullit maqedonas dhe asimilimin e popullit maqedonas. Diçka që nuk ka kurrfarë lidhje me vlerat e shekullit 21 dhe me vlerat e BE-së, tha Mickoski.

Mickoski paralajmëroi gatishmëri për të biseduar me këdo për, siç tha, atë që është para nesh dhe jo për atë që është pas nesh.

“Të bisedojmë për arsim të mirë, për turizmin, për lidhjen infrastrukturore, për të gjithë atë që ofron progres dhe të ardhme. Të mos i kthehemi të kaluarës, pasi këto janë tema të dhimbshme në Ballkan. Nuk do të pranojmë kurrfarë shantazhesh dhe do t’u bëjmë thirrje miqve tanë në Bruksel të na mbështesin, pasi ne jemi njerëz të cilët duan të ndajnë vlera evropiane për të ardhmen dhe jo për të kaluarën dhe jo për të kaluarën”, tha Mickoski.

Ai në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve e përsëriti se është joetike që oponenti politik LSDM ka caktuar kongres në të njëjtën ditë me atë të VMRO-DPMNE-së edhe pse kongresi i tyre është caktuar disa muaj më herët.